Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Perëndimin të enjten se po e “përkëdhel” Serbinë për shkak të frikës dhe shqetësimeve për destabilizim, duke shtuar se ajo nuk po “shpaguhet” dhe se Kosova po “paguan” për këtë.
Qeveria e Kurtit është kritikuar nga disa vende të Perëndimit dhe BE-ja për një sërë vendimesh në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe gjatë këtij viti, ku ai ka thënë se dëshiron të vendosë rënd dhe ligj.
Ai tha se Perëndimi, duke qenë “shumë i kujdesshëm” me Serbinë, po bën që edhe Kosova “të paguajë për këtë dhe kjo nuk është e drejtë”.
Duke folur në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters të premten, Kurti tha: “Mendoj se përkëdhelja e Serbisë (nga Perëndimi) gjatë dy vjetëve e gjysmë prej se ka nisur agresioni rus në Ukrainë nuk po shpaguhet, prandaj dikush duhet të thotë mjaft”.
“Lidhjet e fuqishme të Serbisë me Federatën Ruse dhe lidhjet e thella historike, ekonomike dhe kulturore mes tyre, po e bëjnë Perëndimit të jetë shumë i kujdesshëm me Serbinë”, tha Kurti.
Serbia, për dallim nga vendet e BE-se dhe vendet e tjera të Perëndimit, nuk pranon të vendosë sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës nga Moska.
Ajo vazhdon të mbajë lidhje të ngrohta me Rusinë, edhe pse ka thënë se e mbështet integritetin territorial të Ukrainës.
Ndërkohë, muajt e fundit Serbia ka nënshkruar një marrëveshje me Francën për blerjen e avionëve luftarakë në vlerë rreth 2.7 miliardë euro, si një memorandum mirëkuptimi për litium me BE-në.
“Ajo [Serbia] ka gjetur partnerë edhe në Perëndim për shkak të frikës dhe shqetësimeve që disa diplomatë i kanë se mund të ndodhë destabilizimi përsëri. Para luftës në Ukrainës kam parë disa diplomatë perëndimorë shumë të relaksuar, tani të njëjtit janë shumë të frikësuar. Mendoj se ata e kanë pasur gabim atëherë dhe e kanë gabim tani”, shtoi ai.
“Brukseli t’i bëjë trysni Serbisë”
Kurti e kritikoi Bashkimin Evropian, të cilit të dyja vendet fqinje synojnë t’i bashkohen dikur, se nuk ka reaguar ndaj “shkelje” që ka bërë Serbia.
“Brukseli duhet ta luajë rolin e gjyqtarit që i bie pipit kurdo herë që ka shkelje të Marrëveshjes”, tha Kurti, duke iu referuar Marrëveshjes Bazë që Kosova dhe Serbia e arritën nën ndërmjetësimin e BE-së në fillim të vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve.
Bashkimi Evropian vazhdimisht ka kritikuar palët për moszbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Kurti ka ngulur këmbë që marrëveshja të nënshkruhet dhe që Serbia ta tërheqë një letër që kryeministrja e atëhershme, Ana Brnabiq, i dërgoi BE-së vitin e kaluar, ku shprehu rezerva për marrëveshjen, si dhe t’ia dorëzojë Kosovës Milan Radoiçiqin dhe grupin e tij, të dyshuar për sulmin e armatosur në Banjskë.