Prokuroria e Kukësit ka kërkuar konfiskimin e pasurive të Fatjon Dautaj, i cili u arrestua në Londër për akuzat e "Trafikut të drogës" dhe "Pastrim parash". Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës ka paraqitur kërkesën për konfiskimin e pronave të Dautajt dhe të afërmve të tij, nën akuzën e "Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale" në bazë të nenit 287 të Kodit Penal.
Dautaj ishte arrestuar më herët nga policia metropolitane e Londrës për "Tentativë vrasjeje" dhe ishte nën hetim nga Agjencia Kombëtare kundër Krimit në Angli për "Trafik droge" dhe "Pastrim parash". Në shtator të vitit 2013, në makinën e tij u gjetën 3 kg kokainë, ndërsa në mars të vitit 2014 iu sekuestruan 64,450 paund, që dyshohet të jenë të lidhura me trafikun e drogës.
Prokuroria e Kukësit ka kërkuar sekuestrimin e disa pasurive të Dautajt, përfshirë një njësi prej 100m², një truall prej 64m² me ndërtesë po aq të madhe, dhe një tjetër pronë prej 30m², duke e çuar çështjen në Gjykatë më 19 shtator 2024.