Degradimi i tokës po çon në rikthimin e kënetave dhe moçaleve

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 20.09.2024, 12:33

Sipërfaqet e tokave të prekura nga kripëzimi në vend janë rritur ndjeshëm krahasuar me disa dekada më parë, duke arritur nivele shqetësuese.

Një raport nga Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit vë në dukje se në rajone si Dërmenasi dhe Libofsha në Qarkun e Fierit, toka që dikur ka qenë pjellore tani ka shfaqur shenja të kripëzimit.

Një problem tjetër evident është moçalizimi i tokave në rajone të tilla si Orikumi në Vlorë dhe Sheqerasi në Qarkun e Korçës, duke shkaktuar degradimin e tyre.

Sipas raportit, studimi tregon se ka një rritje të sipërfaqeve të tokave të kripura dhe shumë të kripura, me përqindje kripërash që variojnë nga 0.610% deri në 8.600%. Në krahasim me vitin 1984, ka pasur një shtim të tokave të kripura dhe sodike rreth 1.5 herë. Kripëzimi dhe sodimi kanë pasoja të rënda mbi cilësinë e tokës, duke sjellë përkeqësim kimik, fizik dhe biologjik.

Tokat e studiuara në rajonet përkatëse tregojnë ndryshime të konsiderueshme në përmbajtjen e kripërave, për shkak të mungesës së masave parandaluese dhe lënies së tokave në gjendje të degraduar. Kripëzimi i tokave ka rezultuar kryesisht i tipit klorur, me raportin Cl/SO4 mbi 2 dhe një pH të lartë që varion nga 7.9 deri në 9.8, duke bërë që tokat të jenë shumë alkaline, çka ndihmon procesin e sodimit.

Në vendin tonë, sipërfaqja e tokave të kripura përfshin rreth 40,000 hektarë, që shtrihen përgjatë bregdetit, nga Saranda deri në Velipojë, duke përfshirë zona të tilla si Vlorë, Fier, Durrës dhe Lezhë. Në periudhën para viteve 1990, masat për bonifikim arritën të përmirësonin shumë toka, por pas këtij viti, situata është përkeqësuar për shkak të mungesës së ndërhyrjeve.

Rajonet e studiuara për kripëzimin janë Dërmenasi dhe Libofsha, ku sipas të dhënave, 66.6% e tokave në Dërmenas janë shumë të kripura, ndërsa në Libofshë 20% e tokave janë më pak të kripura. Analizat tregojnë se problemet e kripëzimit kanë tendencë të përhapen edhe në thellësi të tokave që dikur ishin pjellore, duke zgjeruar sipërfaqen e tokave të prekura krahasuar me periudhën para viteve 1990.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit