Qytetarët e thjeshtë shqiptarë po përballen me sfida gjithnjë e më të mëdha në përpjekjet e tyre për të blerë një banesë. Përveç rritjes galopante të çmimeve të apartamenteve, një tjetër pengesë po del në pah: kufizimi i kredive për pasuri të paluajtshme. Ndërsa sektori i ndërtimit vazhdon të rritet, rritjet e mëdha të çmimeve kanë bërë që blerja e një apartamenti të jetë një luks për shumë qytetarë. Për të përballuar këto kosto, shumica e tyre janë të detyruar t’i drejtohen bankave për kredi, që është bërë burimi kryesor i financimit për blerjen e pasurive të paluajtshme.
Sipas të dhënave, 38% e kredive të dhëna nga bankat nga janari deri në qershor kanë shkuar për sektorin e pasurive të paluajtshme, një shifër që ka shënuar një rritje të fortë krahasuar me vitin e kaluar.
Në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë për stabilitetin financiar, është theksuar se në fund të gjashtëmujorit, totali i kredive për këtë sektor arriti në 180 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 7% në periudhën gjashtëmujore dhe 13% në terma vjetorë.
Megjithatë, bankat po fillojnë të kufizojnë kredi-dhënien për këtë sektor, për shkak të rrezikut që paraqet ekspozimi i lartë ndaj pasurive të paluajtshme.
Aktualisht, Banka e Shqipërisë po analizon të dhënat për të vlerësuar nivelin e këtij ekspozimi dhe për të përcaktuar nëse ka nevojë për kufizime të mëtejshme. Një nga opsionet është vendosja e tavaneve për financimet, duke kufizuar përqindjen e kredive që një bankë mund të japë për blerje banesash, nga 80% deri në 60 ose 70%, në rast rreziku.
Kjo do të thotë që qytetarët do të duhet të sigurojnë një pjesë më të madhe të parave nga kursimet e tyre, gjë që për shumë familje është jashtë mundësive.
Ky kufizim, i kombinuar me çmimet në rritje të pasurive të paluajtshme, do ta bëjë edhe më të vështirë për qytetarët e thjeshtë të përballojnë blerjen e një banese, duke i lënë ata në një pozitë të pafavorshme. Për më tepër, këto masa pritet të ndihmojnë bankat të përmirësojnë cilësinë e portofolit të kredive, por në anën tjetër do të reduktojnë aksesin për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë në kreditim.
Në një kohë kur kërkesa për shtëpi është në rritje, kufizimi i kredidhënies për sektorin e pasurive të paluajtshme është një goditje e rëndë për ata që shpresojnë të kenë një shtëpi të tyren. Shumë qytetarë mund të mbeten jashtë tregut të banesave, ndërkohë që vetëm ata me të ardhura më të larta ose kursime të mjaftueshme do të kenë mundësinë të përfitojnë nga kreditimi bankar.