Reperi Fero ka ngritur akuza të rënda ndaj ish-bashkëshortes së tij, Arbenita Ismajli, me të cilën ka një vajzë të quajtur Nina. Gjatë një interviste ai deklaroi se ish-bashkëshortja e tij merr vajzën dhe udhëton jashtë vendit pa pëlqimin e tij, duke pretenduar se ajo ka nxjerrë një pasaportë të falsifikuar për të.
"Kam pasur dyshime për këtë çështje, ajo ka udhëtuar në Greqi, Turqi dhe dy shtete të tjera. U kthye në Kosovë, por aktualisht nuk është më këtu. As Prokuroria dhe as Policia nuk e kanë marrë në pyetje. Ajo nuk ka të drejtë ta marrë vajzën pa pëlqimin tim. Pasaporta që ka marrë në Maqedoni është e falsifikuar dhe është bërë pa lejen time,"-tha Fero.
Ai vazhdoi duke shtuar: "Kur shkova dje për ta dorëzuar vajzën në Qendrën për Punë Sociale në Gjilan, kërkova nga kjo qendër që të njoftohej prokuroria ose policia dhe të ndaloheshin përdorimi i pasaportës së falsifikuar që ajo ka, në mënyrë që vajza ime të mos largohet nga vendi, sepse kam dyshime. Prokuroria dhe Qendra për Punë Sociale i thanë që duhet ta dorëzonte pasaportën për të marrë vajzën, por ajo nuk pranoi, duke thënë se duhet të udhëtonte jashtë vendit."
Gjatë mbrëmjes së djeshme, Fero postoi në rrjetet sociale duke kërkuar ndihmë dhe duke deklaruar se nuk ishte mirë nga ana shëndetësore. Ai gjithashtu pretendoi se vajza e tij ishte rrëmbyer. Ndërkohë, Arbenita Ismajli, ish-partnerja e tij, nuk ka bërë asnjë reagim ndaj këtyre akuzave.