Kompania "Arlis Shpk", e regjistruar në emër të Armand Lilos, kunati i njohur i Fatmir Xhafajt, është përballur me Gjykatën e Posaçme.
Sipas burimeve, "Arlis Ndërtim" kërkon kthimin e 5 apartamenteve të sekuestruara ish-shefit të Operacionales, Oltion Bistri.
Kompania argumenton se kontrata e blerjes me Bistrin ishte anuluar para se ai të arrestohej. Ata theksojnë se Bistri kishte porositur 5 apartamente në ndërtim dhe kishte kryer pagesat për to, por më vonë kishte kërkuar anulimin e kontratës, pasi nuk dëshironte më t'i blinte apartamentet. Për këtë arsye, kontrata ishte prishur.
Zbulimi i këtyre apartamenteve erdhi gjatë hetimeve të SPAK për pronat e ish-drejtuesit të Policisë së Shtetit.
Seanca në GJKKO u shty për më 1 tetor, ora 12:00, pas kërkesës së përfaqësuesve të kompanisë për të shqyrtuar dokumentet. Ata gjithashtu argumentuan se sekuestrimi nga SPAK ishte i gabuar dhe duhet të anulohet.