Kurti i hedh poshtë kërkesat e Vuçiqit si “jo paqësore” dhe “fushatë agresive”

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 17.09.2024, 15:03

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka hedhur poshtë si “jo paqësore” dhe pjesë të një “fushate agresive për konflikte të reja” kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq, për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Javën e kaluar Vuciq bëri thirrje për riintegrimin e serbëve në veri të Kosovës, duke kërkuar, ndër të tjera, shpallje të zgjedhjeve të reja lokale në veri, kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor, si edhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut.

I pyetur të martën në Prishtinë rreth kërkesave të presidentit serb, Kurti tha: “Kërkesat e tij, masat e tij, bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin joracionalitet dhe nuk janë aspak paqësore, por përkundrazi pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që pa dyshim nuk kanë vend as në Kosovë”.

Kjo është hera e parë që Kurti i komenton thirrjet e Vuçiqit për riintegrimin e serbëve në veri të Kosovës, të cilat u mirëprtën nga Bashkimi Evropian si një lëvizje pozitive.

Qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022.

Kjo pasoi indinjatën e tyre me një vendim të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës.

Nga ajo kohë, kryetarët e komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin-Potok dhe Leposaviq, u zëvendësuan me udhëheqës shqiptarë, pasi komuniteti shumicë serb në zonë i bojkotoi zgjedhjet.

Në gjykata, prokurori dhe polici, punonjësit serbë nuk u kthyen.

Kurti tha se kërkesat që ai i ka bërë më herët drejtuar Serbisë “janë paqësore dhe racionale”, krahasuar me ato të liderit serb.

“Së pari duhet të flisni për tri kushtet që i kam vënë unë… dorëzimi në autoritetet kosovare i Millan Radojçiqit, është nënshkrimi i marrëveshjes [për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve] dhe është gjithashtu tërheqja e letrës së ish-kryeministres [serbe Ana Bërnabiq], e cila tha se nuk e pranon as pavarësinë e Kosovës, as ulësen në OKB për Kosovën dhe as nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”, tha Kurti.

Javën e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radojçiq – për sulmin e armatosur në Banjskë.

Radojçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, e mori përgjegjësinë për sulmin që la të vdekur një rreshter, dhe autoritetet kosovare e duan ekstradimin e tij në Kosovë.

Ndërkohë, derisa i dërguari evropian për dialogun midis dy vendeve, Mirosllav Lajçak, ka thënë ditë më parë se Serbia e ka tërhequr letrën e Bërnabiqit, Vuçiqi, as nuk e ka pohuar, dhe as mohuar një gjë të tillë kur është pyetur rreth saj.

Kosova dhe Serbia arritën pajtueshmëri për normalizim marrëdhëniesh në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, një muaj më vonë.

Kosova ngul këmbë që kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet së pari, edhe pse BE-ja thotë se ajo është e detyrueshme për palët pavarësisht nënshkrimit.

Megjithatë, palët nuk kanë bërë hapa drejt zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

Marrëveshja e Ohrit, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Haram i muajit
KLIKO PËR TË VOTUAR
  • Gent Sejko
    I pari në listë është Gent Sejko, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, i cili edhe pse e dinte për skemën zhvatëse të mikrokredive, nuk merrte masa, por “bashkëpunonte” me ta. Vetëvrasja e Pal Trashajt është edhe përgjegjësi e tij.
    Agron Gaxho
    Agron Gaxho, drejtori i spitalit në Elbasan, i cili shkarkoi nga puna një infermiere, me 34 vite punë, vetëm pse ajo denoncoi kushtet e këqija të spitalit në redaksinë e JOQ Albania. Vetëm një ditë pas denoncimit, Agron Gaxho firmosi lirimin e saj, me pretekstin se i ka prishur imazhin institucionit.
    Anastas Angjeli
    Anastas Angjeli, ish-ministri i cili po torturon shoferët shqiptarë, të cilët e kanë siguruar makinën me kompaninë e tij, “Ansig”. Shumë qytetarë e kanë denoncuar për mashtrime dhe zvarritje të procesit të dëmshpërblimit, madje kanë dyshime se kompania mund të ketë falimentuar fare pasi kanë mbi 1 vit që presin.
    Gjovalin Loka
    Gjovalin Loka, drejtori i policisë Korçë, i cili iu bënte presion dhe dhunonte fermerët që protestonin, duke urdhëruar efektivët e policisë, t’i shtynin sa më fort. Ai madje urdhëroi edhe gjobitjen e tyre, me vlera që shkonin deri në 1 milionë lekë. Nga pamjet u pa se si Gjovalini, kujdesej vetë që fermerët të mos ngrinin zërin, për hallin e tyre.
    Atdhe Islami
    Atdhe Islami, është pronari i një byrektoreje në Dhërmi, shpifës dhe abuzues i niveleve të larta. Përveçse i faturon pushuesit me çmime të larta në byrektoren e tij, por edhe shpif ndaj medias, JOQ, se e kanë shantazhuar dhe i kanë kërkuar lekë për publikimin e një fotoje.
    Ermal Dredha
    Ermal Dredha, kryebashkiaku i Vlorës, i cili duket se gjatë gjithë kohës është me pushime dhe ka harruar punët e qytetit. Zjarri në landfillin e mbeturinave, për të disatën herë në Vlorë, është përgjegjësi direkte e tij, pasi nuk mori masa paraprake dhe për disa ditë me radhë helmoi banorët dhe pushuesit.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit