Gjykata e Posaçme e Apelit do të bëjë të ditur në 18 shtator vendimin për masën e sigurisë për mjekët e Onkologjikut, Edmond Gashi, Brikena Qirjazi, Halil Gashi dhe Florian Marku.
Mjekët në fjalë kërkuan në Apel zëvendësimin e masave përkatëse të sigurisë në masa më të buta.
Edmond Gashi, Brikena Qirjazi, Halil Gashi dhe Florian Marku akuzohen për “korrupsion”, “shpërdorim detyre” dhe “kontrabande te ilaçeve”.
Bazuar në hetimet e deritanishme, të dyshuarit akuzohen se kanë ngritur një skemë abuzive duke vonuar trajtimin e pacientëve me kancer në Spitalin Onkologjik, për t'i drejtuar ata drejt një klinike private.
Gjithashtu, është zbuluar se pajisja për kobalto-terapi, e instaluar që nga viti 2021, nuk ishte vënë në përdorim dhe ishte lënë në kushte të papërshtatshme, duke krijuar rrezik nga radioaktiviteti për stafin dhe pacientët. Për më tepër, është dokumentuar se medikamentet kundër kancerit të spitalit janë kontrabanduar dhe shitur në dy farmaci private.