Në vitin 2023, për herë të parë, Gjermania ka marrë drejtimin në dhënien e lejeve të qëndrimit për shqiptarët që kërkojnë mundësi punësimi në Evropë. Sipas të dhënave të Eurostat, ky shtet ka lëshuar rreth 5 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë gjatë këtij viti, duke theksuar një rritje të ndjeshme në krahasim me vitet e kaluara. Gjermania ka ofruar gjithsej 10 mijë leje për arsye punësimi në dy vitet e fundit (2022-2023), duke theksuar preferencën e saj për profesionistë të ndryshëm, nga mjekët e infermierët deri te specialistët e IT-së.
Italia, e cila ka qenë tradicionalisht lider në dhënien e lejeve të qëndrimit në Evropë, është renditur tani në vendin e dytë për sa i përket lejeve për punë. Ajo ka lëshuar 3 mijë e 200 leje për shqiptarët në vitin 2023, një rënie prej 44% krahasuar me vitin e kaluar. Në vend të tretë, ndodhet Greqia, me 2 mijë e 838 leje qëndrimi, një tkurrje prej 8% në krahasim me vitin paraardhës.
Destinacione të tjera që po bëhen gjithnjë e më tërheqëse për shqiptarët janë Kroacia dhe Malta. Që nga viti 2019, Kroacia ka dhënë mesatarisht rreth 2 mijë leje të reja për shqiptarët që kërkojnë mundësi punësimi, kryesisht në ndërtim dhe turizëm. Malta, e cila gjithashtu është një destinacion i popullarizuar, ka dhënë mbi 1800 leje në vitin 2022, por numri ra në afër një mijë në vitin 2023. Shtetet e tjera të rëndësishme për emigrantët shqiptarë përfshijnë Poloninë, Sllovakinë, Francën dhe Suedinë.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se vala e re e emigrimit është gjithnjë e më shumë e orientuar nga arsye të punësimit, krahas arsyeve familjare që tradicionalisht kanë dominuar. Në vitin 2023, lejet për arsye punësimi përbënin rreth 25% të totalit, një rritje nga 12% në vitin 2013. Në dy vitet e fundit, shtetet e BE-së kanë lëshuar gati 39 mijë leje qëndrimi për shqiptarët që kërkojnë punë jashtë vendit.
Numri i lejeve të qëndrimit për herë të parë nga vendet e BE-së ka arritur nivele rekord që nga vitit 2010. Në vitin 2023, janë lëshuar rreth 75 mijë leje, një rritje në krahasim me 79.2 mijë leje të dhëna në vitin 2022. Këto të dhëna pasqyrojnë një përshpejtim të ritmeve të emigrimit pas pandemisë dhe një tendencë në rritje për shqiptarët që kërkojnë mundësi më të mira pune në Evropë.