Njerëzit janë shqetësuar pasi kanë parë një simulim mbi atë se çfarë ndodh me kufjet kur i vendosni në vesh. Kufjet janë një pajisje që shumica prej nesh e përdorin rregullisht, qoftë gjatë rrugës për në punë, gjatë stërvitjes apo për të bllokuar zhurmën në transportin publik.
Por, a e dinit se ato mund të jenë të dëmshme për shëndetin tuaj nëse nuk tregoni kujdes?
Zack D. Films postoi një video të shkurtër prej 31 sekondash në YouTube, që ka grumbulluar mbi 15 milionë shikime, me titullin "Pse kufjet tuaja janë të pisëta".
Ai tha: "Kur vendosni kufjet në vesh, mund të fusni bakterie të dëmshme drejtpërdrejt në kanalin tuaj të veshit”.
"Sa herë që kufjet qëndrojnë në veshët tuaj, ato mbledhin qeliza të lëkurës, djersë dhe dyllë veshi, dhe për shkak se kanali i veshit është i lagësht, i errët dhe i ngrohtë, krijon një mjedis ideal për zhvillimin e baktereve”.
Përfundimi ishte: "Nëse nuk i pastroni rregullisht kufjet, ato grumbullojnë këto baktere, të cilat gradualisht mund të shkaktojnë infeksione."