Tentativa për grusht shteti në Kongo, dënohen me vdekje tre shtetas amerikanë dhe një britanik

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 13.09.2024, 23:43

Tridhjetë e shtatë persona, përfshirë tre shtetas amerikanë, një britanik, një belg dhe një shtetas kanadez, janë dënuar me vdekje për përpjekje për të rrëzuar presidentin e Republikës Demokratike të Kongos.

Ata u akuzuan për udhëheqjen e një sulmi si në pallatin presidencial si edhe në shtëpinë e një aleati të presidentit Félix Tshisekedi në maj të këtij viti.

Christian Malanga, një shtetas amerikan me origjinë kongoleze, udhëheqësi i dyshuar i komplotit, u vra gjatë sulmit së bashku me pesë persona të tjerë.

Midis të dënuarve për vdekje është dhe djali i Malanga, 20-vjeç, së bashku me shokun e tij bashkëmoshatar, Tyler Thompson. Ata kishin luajtur futboll së bashku në Utah të SHBA-së, raporton BBC.

Marcel Malanga deklaroi në gjykatë se babai i tij e kishte kërcënuar se do ta vriste nëse ai nuk merrte pjesë në grushtin e shtetit. Amerikani i tretë, Benjamin Zalman-Polun, kishte interesa biznesi me Christian Malanga.

Gjithashtu u dënua me vdekje Jean-Jacques Wondo, një shtetas i belgo-kongolez. Organizata "Human Rights Watch" e përshkroi atë si një studiues të shquar mbi politikën dhe sigurinë rajonale dhe sugjeroi se provat që e lidhnin atë me përpjekjen për grusht shteti ishin të pakta.

Agjencia e lajmeve AFP raportoi se shtetasit britanikë dhe kanadezë ishin me origjinë kongoleze.

Nga 51 të gjykuarit, 14 persona u shpallën të pafajshëm dhe u lanë të lirë pasi gjykata konstatoi se ata nuk kishin asnjë lidhje me sulmin, ndërsa 37 të tjerët u dënuan me vdekje. Të dënuarit kanë pesë ditë kohë për të apeluar dënimet e tyre.

Përpjekja për grusht shteti filloi në kryeqytetin, Kinshasa, në orët e para të 19 majit. Njerëz të armatosur fillimisht sulmuan shtëpinë e kryetarit të parlamentit Vital Kamerhe në Kinshasa, më pas u drejtuan për në rezidencën zyrtare të presidentit.

Dëshmitarët thonë se një grup prej rreth 20 sulmuesish me uniformë ushtrie sulmuan pallatin dhe pasoi një shkëmbim zjarri.

Një zëdhënës i ushtrisë njoftoi më vonë në TV kombëtar se forcat e sigurisë kishin ndaluar "një tentativë për grusht shteti".

Raportet e mediave lokale thanë se sulmuesit ishin anëtarë të Lëvizjes së Re Zaire të lidhur me Malanga, një politikan kongolez në mërgim.

Malanga u qëllua për vdekje pasi i rezistoi arrestimit, tha zëdhënësi i ushtrisë, gjenerali Sylavin Ekenge.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit