Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do t’i drejtohet publikut sot në orën 18:00, dhe pritet që të shpjegojë situatën në veri të Kosovës dhe të shpallë hapat e ardhshëm të Serbisë. Ndërkohë, nga Podgorica është njoftuar se Serbia ka “gjashtë kërkesa kyçe.”
Presidenti i Serbisë të martën, pas takimit me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, deklaroi se brenda 72 orëve do t’i paraqesë publikut kërkesat dhe hapat e mëtejshëm të Serbisë pas serisë së “sulmeve brutale” ndaj popullsisë serbe në veri të Kosovës.
Pritet që Vuçiq në fjalimin e tij sot të saktësojë kërkesat që Serbia i parashtron komunitetit ndërkombëtar dhe hapat që planifikon të ndërmarrë për të mbrojtur serbët në Kosovë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në fjalimin e sotëm do t’i shpjegojë se çfarë po ndodh në Kosovë dhe çfarë do të ndërmarrë shteti lidhur me këto ngjarje, deklaroi sot kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, duke shtuar se masat që do të ndërmerren do të synojnë ruajtjen e paqes dhe mbrojtjen e serbëve në Kosovë.
“Presidenti i Republikës do të shpjegojë në orën 18 se çfarë po ndodh saktësisht, në mënyrë shumë më të detajuar dhe precize, që të gjithë qytetarët e Republikës së Serbisë të kenë një pasqyrë të plotë, për të kuptuar se çfarë dhe pse po ndodh, cili është qëllimi i kësaj. Natyrisht, ai do të tregojë edhe çfarë do të ndërmarrë shteti ynë në periudhën e ardhshme,” tha Vuçeviq për RTS, duke shtuar se të gjitha vendimet për veprimet e shtetit serb do të jenë qëndrimi i përbashkët i presidentit të Republikës dhe qeverisë së Serbisë.
Ndërkohë, nga Podgorica është njoftuar se cilat janë kërkesat e Beogradit. Ambasadori i Serbisë në Mal të Zi, Nebojsha Rodiq, ka njohur kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, me gjashtë kërkesat kyçe të Serbisë, ka bërë të ditur Mandiq në rrjetin X.
“Rodiq dëshironte të informonte kryetarin e Kuvendit (të Malit të Zi) për qëndrimin zyrtar të Republikës së Serbisë, i cili përbëhet nga disa pika për zgjidhjen e krizës aktuale, jashtëzakonisht të vështirë në Kosovë,” tha Mandiq.
Këto kërkesa përfshijnë “organizimin e menjëhershëm të zgjedhjeve të lira në komunat në veri të Kosovës, kthimin e 700 policëve të kombësisë serbe, zgjidhjen e problemeve në gjyqësor, pasi nuk diskutohet më për kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin gjyqësor, siç parashikohet në Marrëveshjen e Brukselit, formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, lirimin e të gjitha personave të burgosur për arsye politike, si dhe heqjen e bllokadës së importit të produkteve nga Republika e Serbisë në territorin e Kosovës, që po zgjat tashmë 14 muaj”, ka shkruar Mandiq.
Këto pretendime nuk janë as konfirmuar dhe as mohuar në Beograd.