Shumica e banorëve në Irlandën e Veriut nuk e kanë pritur aspak mirë skulpturën e re të mbretëreshës Elizabeth II.
Statuja e bronztë e mbretëreshës së ndjerë ndodhet krah princit Philip dhe dy qenve të tyre, është krijuar nga skulptori Anto Brennan dhe u inagurua javën e kaluar në Antrim Castle Gardens.
“Skulptura shfaq Madhërinë e saj në një pozë të denjë, duke reflektuar hijeshinë e saj, palëkundshmërinë dhe përkushtimin e përjetshëm ndaj shërbimit publik”, shkroi këshilli në “Facebook”, mirëpo shumë komentues shfaqën indinjatë.
“Në fakt është ofendim ndaj kujtimit të Madhërisë së saj, sepse nuk duket fare si ajo”, shkroi dikush kurse një tjetër e quajti “të tmerrshme” dhe i kërkoi këshillit “ta hiqte”.
“Më shumë fyerje sesa homazh. Të them të drejtën, duket e tmerrshme.”
Disa të tjerë e komentuan si “qesharake” dhe “të papërshtatshme”. Një komentues tha se dukej më shumë si zonja Doubtfire sesa si mbretëresha.
Në grupin e madh të komentuesve të irrituar dhe të pakënaqur kishte edhe nga ata që dolën në mbrojtje duke theksuar se artistit i është dashur shumë kohë e mund për ta përfunduar.
Anto Brennan krijoi edhe statujën e princit Philip që u prezantua vitin e kaluar.