Janë zbardhur detaje të reja për konfliktin mes dy kushërinjve në Laprakë. Mësohet se konflikti mes dy kushërinjve, Elvis dhe Mario Nela, të dy nga Lapraka, ka nisur që në Gjermani për shkak të pazareve të drogës dhe është lënë për t’u sqaruar në Shqipëri.
Kur Mario Nela mbërriti në Shqipëri të martën la të takohej me Elvis Nelën për të diskutuar çështjet e hapura, por diskutimi është përshkallëzuar dhe ka kaluar në një përplasje me armë.
Në debat e sipër, dyshohet se Mario Nela ka qëlluar dhe plagosur Elvis Nelën në këmbë. I plagosuri ka arritur të shkojë vetë në spital dhe tani është jashtë rrezikut për jetën.
Në lidhje me ngjarjen, policia ka shpallur në kërkim Mario Nelën, ndërkohë që ka arrestuar babanë e tij, Gentjan Nela, dhe vëllain e tij, Emanuelin.
Ndërkohë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.