Shqipëri 2024!
Zona përreth Aeroportit të Rinasit, porta kryesore e hyrjes që pret mijëra turistë çdo ditë, ka më shumë se 24 orë pa energji elektrike.
Kanë qenë banorë të kësaj zone të cilët kanë denoncuar në JOQ Albania mungesën e energjisë elektrike prej më shumë se 24 orësh, gjë e cila u ka shkaktuar atyre jo pak probleme.
Kjo situatë alarmante ka sjellë në vëmendje problematikën serioze që po përjeton Shqipëria në sektorin e energjisë.
Përveç problematikave që u ka sjellë banorëve të zonës, gjithashtu edhe turistët të cilët sapo dalin nga aeroporti përmes kësaj zone janë të detyruar të përballen me një peizazh të errët përreth, duke krijuar një perceptim të hidhur që Shqipëria është një vend me shumë probleme esenciale në infrastrukturë, ndryshe nga ç'përpiqet ta paraqesë qeveria përmes propagandës së saj boshe.
Turistët që zbarkojnë në Shqipëri shikojnë një realitet që bie në kontrast të thellë me përpjekjet e qeverisë për ta paraqitur si një destinacion modern dhe mikpritës. Pamjet e rrugëve dhe ndërtesave pa ndriçim përreth aeroportit japin një imazh negativ, duke krijuar shqetësime mbi infrastrukturën dhe menaxhimin e vendit.
Në qendër të kësaj krize është nënstacioni elektrik i Valiasit, i cili është përgjegjës për furnizimin e kësaj zone, dhe deri më tani, problemet teknike apo menaxheriale nuk janë adresuar si duhet.
Përgjegjësia kryesore për këtë situatë bie mbi Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës, e drejtuar nga Belinda Balluku dhe OSHEE.
Ministria dhe OSHEE kanë dështuar të marrin masa të shpejta për zgjidhjen e problemit dhe për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike në një nga zonat më të rëndësishme të vendit.
Ky dështim ka shkaktuar shqetësime të thella jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për operatorët turistikë që frikësohen se mungesa e dritave dhe problemet me energjinë mund të largojnë investitorët dhe do të sillte dëmtim të imazhit të vendit në sytë e vizitorëve.