Greqi/ Shkatërrohet banda e shqiptarëve, 4 në pranga e 3 të tjerë në kërkim

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 10.09.2024, 20:24

Katër shqiptarë kanë rënë në pranga dhe tre të tjerë janë shpallur në Greqi pas një operacioni të madh të përbashkët të forcave speciale greke EKAM në bashkëpunim me Rojën Bregdetare, ku u zbulua dhe shkatërrua një plantacion i madh kanabisi në Galanaika, Epidavrou, në zonën e Argolidës.

Shqiptarët të cilët akuzohen për ngritjen dhe menaxhimin e plantacionit të kanabisit, kishin ndarë detyrat midis tyre.

Operacioni nisi në orët e para të mëngjesit, kur forcat speciale dhe një njësi e Rojës Bregdetare ndërhynë në zonën pyjore të Galanaikës, Epidavrou. Aty, brenda një plantacioni me fidanë kanabisi, u arrestua shtetasi shqiptar Skënder Toska, 42 vjeç nga Përmeti.

Gjatë kontrollit të parcelës, u zbuluan 387 bimë kanabisi me lartësi nga 20 centimetra deri në 2 metra. Toska kundërshtoi dhunshëm forcat e rendit, por u neutralizua. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 130 gramë marijuanë, e cila do t'i jepej si mostër shtetasve Andon Çela dhe Gramos Dervishi, të dy nga Roskoveci, për t'ua treguar blerësve të mundshëm.

Hetimet zbuluan se Skënder Toska, së bashku me Pëllumb Toska, 31 vjeç, dhe Ermal Hoxha, 43 vjeç, ishin përgjegjës për kultivimin e drogës. Pëllumb Toska u arrestua në vendngjarje, ndërsa Hoxha mbetet në kërkim. Ata punonin për llogari të grupit kriminal të mirëstrukturuar.

Operacioni vazhdoi në Athinë, ku në një banesë u arrestua Andon Çela, 49 vjeç, i cili drejtonte grupin. Gjatë arrestimit, atij iu sekuestruan 3.5 gramë marijuanë. Në një banesë tjetër në Pire, u arrestua shtetasi grek Stefanos Dolomas, 49 vjeç, ku u gjetën 91.7 gram marijuanë që do të dorëzoheshin Çelës dhe Dervishit. Gramos Dervishi, i cili është ende në kërkim, dhe një tjetër anëtar i grupit, Lame Hyska, 44 vjeç nga Kurjani i Roskovecit, gjithashtu mbeten të padisponueshëm për policinë.

Policia greke përllogariti se nga shitja e lëndës narkotike grupi kriminal do të siguronte një shumë prej të paktën 560 mijë eurosh.

Roli i të dyshuarve:

  • Andon Çela (49 vjeç): Udhëheqës i grupit, përgjegjës për financat dhe sigurimin e logjistikës
  • Gramos Dervishi (45 vjeç): Në kërkim, ndihmonte me furnizimin dhe shpërndarjen e drogës
  • Lame Hyska (44 vjeç): Ofrues i mjeteve të transportit për grupin
  • Stefanos Dolomas (49 vjeç, grek): Ruante e bimëve të korrura
  • Skënder Toska (42 vjeç), Pëllumb Toska (31 vjeç), dhe Ermal Hoxha (43 vjeç): Përgjegjës për kultivimin dhe mbikëqyrjen e plantacionit

Andon Çela dhe Skënder Toska kanë pasur precedentë të mëparshëm për krime të lidhura me drogën, duke e bërë këtë grup një objektiv kyç për autoritetet greke.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit