Së fundmi, Melisa, 31-vjeçarja që u dogj me benzinë nga i shoqi më 31 gusht të këtij viti, në qytetin e Korçës, ka treguar tmerrin që përjetoi, arsyen pse ndodhi dhe gjendjen e saj aktuale.
“Po kthehesha nga puna, dhe isha në rrugicën e shtëpisë, ai ndaloi dhe nuk e pashë që kishte bidonin se e kishte fshehur në xhep, një bidon të vogël”, tregoi çastin se si ndodhi akti makabër. “Më hodhi benzinën, ndezi çakmakun, e ndezi dhe iku me vrap. Unë fillova të bërtisja se nuk kishte njeri aty, qëlloi një fqinje që më mori në oborr e më fiku zjarrin me ujë. Dy ditë më parë erdhi nga Saranda, folëm qetë-qetë, u ndamë shumë mirë, dhe i thashë të flasim mirë për hir të fëmijëve. Ditën e dytë nuk u bë i gjallë fare, ndërsa ditën e tretë ndodhi kjo”, shpjegoi ajo.
Për sa i përket gjendjes së saj aktuale është shprehur se është shumë keq, por doktorët i kanë thënë se do të bëhet më mirë.
“Deri tani mjekët thonë që do duhet të rri më gjatë, por nuk e dimë nëse do duhet të shkoj jashtë shtetit. Duart i kam shumë keq, barkun dhe kofshët”, tha dhe gjithashtu shtoi se ka temperaturë dhe ankth. “Kam temperaturë dhe më ka nisur pjesa e ankthit. Kam frikë, më del imazhi i tij në kokë, kam frikë për veten dhe fëmijët.”
Gjithashtu, Melisa tregoi edhe arsyet pse kishte vendosur ta shkëpuste marrëdhënien me të shoqin.
“Kam 10 vjet që e njihja. Ai e ka ndërruar emrin, unë në dhjetor po sëmuresha shumë shpesh se kisha shumë stres, dhe i flisja për mirë, të mblidhte veten për hir të familjes, por ai nuk po përmirësonte. Aty e pashë që s`do ndryshonte dhe thashë të shoh jetën time. Kontaktoj me familjen e tij, se kam marrëdhënie të mirë, më mbështesin. Unë erdha të jetoj te shtëpia e familjes time, dhe unë punoj ku të mundem, se nuk punoj dot në vend të rregullt me sigurime”, u shpreh ajo.