Melisa Trëndafili, 31-vjeçarja që u dogj me benzinë nga ish-bashkëshorti i saj ka folur për mediat për ngjarjen e rëndë.
Në një intervistë televizive, ajo ka treguar historinë e plotë me ish-bashkëshortin i cili vijon të jetë i shpallur në kërkim që prej 31 gushtit kur ndodhi ngjarja e rëndë.
Nga krevati i spitalit, ku ndodhet e shtruar prej disa ditësh dhe me plagë të shumta, Melisa ka treguar se ish-bashkëshorti i ka derdhur një shishe me benzinë mbi trup dhe më pas i ka ndezur çakmakun.
Ajo thotë se flakët në trup është përpjekur t'i shuajë me duar dhe prandaj tani ka shumë flakë. Pas ngjarjes së rëndë ajo tani po përballet me ankth dhe frikë, jo vetëm për veten e saj por edhe për fëmijët.
“Jam shumë keq. Po kthehesha nga puna, më gjeti tek rrugica e shtëpisë, ndaloi dhe nuk e pash që kishte benzinë. E kishte futur shishen tek xhepi. E nxori dhe më hodhi çakmakun, ishte fqinja ajo që fiku me ujë zjarrin. Ai erdhi dy ditë më parë, takoi fëmijët, u ulëm në një park lojërash, ishte i qetë. I thash për fëmijët duhet të kemi komunikim. Ditën e dytë nuk folëm më, të tretën pastaj erdhi e bëri. Po presim të shikojmë si janë plagët. Di vetëm që do të rri gjatë në spital. Plagët i kam tek duart më shumë sepse jam munduar ta fik zjarrin me duar, barkun dhe kofshët. Kam temperaturë dhe më ka nisur ankthi. Nuk fle dot, trembem. Më del imazhi i tij para syve, kam frikë edhe për fëmijët. Kam 10 vite që njihem me të. Ai e ka ndërruar emrin, e ka pasur Bledar Trëndafili dhe tani e ka Elton Trëndafili edhe vjet në nëntor unë po sëmuresha shumë shpesh sepse jetonim në Tiranë, kishim punë tonën. Sëmuresha prej stresit, i flisja për mirë, që shiko se kemi familje, ai nuk po bënte asnjë ndryshim dhe unë u sëmura më shumë dhe aty vendosa të shoh fëmijët dhe veten time".
Ndërkohë ajo ka treguar se me familjarët e ish-bashkëshortit ka marrëdhënie të mira, edhe pse ai nuk ndryshon dhe nuk ka ndryshuar kurrë gjatë këtyre viteve.
"Familjarët e tij kam kontaktuar sepse kam marrëdhënie të mira. Ata më mbështesin, kanë bërë çmos që ai të ndryshonte por nuk e bëri. Gjatë sezonit punonte në Sarandë. Kemi ndërruar shumë shtëpi. Unë nuk kam asgjë. Kur kisha punën këtu në Tiranë, që ma hapën njerëzit e burrit, ai ma shkatërroi. Më ka ndihmuar tashmë familja ime, që nga nëntori. Punoj ku të mundem. Ai më ka lënë shumë keq me sigurimet”.