Konjufca: Dialogu i Brukselit ka vdekur, bashkësia ndërkombëtare e njëanshme

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 09.09.2024, 12:53

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se dialogu i Brukselit, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka vdekur.

Ai ka thënë se tashmë është e qartë se bashkësia ndërkombëtare është e njëanshme në raportet Kosovë-Serbi.

Në një deklarim për media pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, Konjufca tha se dialogu, sipas formatit aktual të nisur në vitin 2011, është figurativisht i vdekur.

“Unë mendoj që dialogu në formatin qysh ka qenë prej vitit 2011, e ka pasur arkivolin në 24 shtatorin e vitit të kaluar me sulmin terrorist në Banjskë, sepse informatat të cilat i posedon bashkësia ndërkombëtare, përfshirë autoritetet tona, tregojnë se ky grup i madh kriminal e ka pasur mbështetjen e drejtpërdrejt prej shtetit serb”, tha ai.

“Unë konsideroj që pikërisht për këtë arsye është shkatërru edhe minimumi i mirëbesimit që ta ketë një proces i negociatave që me mund të vazhdohet normalisht. Unë mendoj që ajo që ndodhi në Banjskë është gozhda e fundit në arkivolin e dialogut që kishte filluar në vitin 2011”, u shpreh Konjufca.

Ai e porositi bashkësinë ndërkombëtare të përcaktohet nëse do zbatim të Marrëveshjes së Ohrit.

“I përket bashkësisë ndërkombëtare që të jetë e përcaktuar në atë që do. Nëse bashkësia ndërkombëtare dëshiron që principi i Marrëveshjes së Ohrit, që palët me funksionu si dy vende sovrane të Kombeve të Bashkuara, ashtu siç shkruan në marrëveshje, atëherë Kosova është e gatshme. A nëse do t’i mbyll sytë dhe të mos reagojë as kur Serbia i mbyll kufijtë me Kosovën, me mbështetje të qartë prej shtetit. Pra, ne jemi të vetëdijshëm që bashkësia ndërkombëtare është e njëanshme në raport me Kosovën dhe Serbinë”, tha Konjufca.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit