Marklen Haka ka mohuar akuzat për atentat ndaj Durim Bamit dhe përdorimin e aplikacionit "Sky ECC", i cili është përdorur nga kriminelët për të komunikuar. Pavarësisht se i mohoi, Haka është mbajtur në burg.
SPAK-u ka në dorë qindra mijëra biseda nga ky aplikacion, që përfshijnë mesazhe midis Bamit dhe Behar Bajrit për të eliminuar fizikisht Arben Ndokën, ish-deputet i PS-së. Vrasjen e ish-deputetit, grupi i Niklës e kërkonte pasi Ndokës iu kishte vrarë vëllai në atë pritë fatale në derën e shtëpisë së tij në lagjen “Kodër Marlekaj” të Lezhës.
Historitë e krimit që shfaqen në bisedat mes dy personazheve si Behar Bajri dhe Durim Bami implikojnë dhjetëra persona të tjerë, mes të cilëve ish-deputetë, po ashtu siç edhe del hapur intriga mes palëve, intrigë që me sa duket ka ‘mashtruar’ edhe SPAK-un se Marklen Haka donte të vriste Durim Bamin.
Megjithatë, moria e informacioneve që gjenden në ato materiale të ardhura nga Belgjika dhe Franca mund të hedhë të zbardhë ngjarjes mes grupeve kriminale me mbështetje të forta jo vetëm në sistemin e drejtësisë, por edhe në politikë.
SEANCA:
Dje Marklen Haka, 33 vjeçari nga Nikla, është paraqitur para Gjykatës së Posaçme për të verifikuar masën e sigurisë ndaj tij, të cilën e kishte në mungesë. 33-vjeçari nga Nikla akuzohet për pjesëmarrje në atentatin ndaj Durim Bamit në vitin 2020, ku sipas SPAK, ai ka ofruar informacione për lëvizjet dhe vendndodhjen e Bamit, të nxjerra nga bisedat në aplikacionin “Sky ECC”. Haka i ka mohuar akuzat në gjykatë, duke pretenduar se nuk kishte konflikte me Bamin dhe se nuk ndodhej në afërsi të Fushë-Krujës në kohën e atentatit. Ai ka deklaruar gjithashtu se nuk ka përdorur aplikacionin “Sky” dhe se nuk është larguar nga Shqipëria.
Haka u arrestua më 6 shtator 2024 në oborrin e një banese të të afërmit të tij, ku u gjetën edhe armë, pas informacioneve të marra nga policia. Ai akuzohet për vrasje me paramendim në tentativë ndaj Bamit, bashkëpunim në grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje. Haka kishte pasur më herët probleme me ligjin, duke u arrestuar në 2011 për një vrasje në ish-Bllok, por u lirua për mungesë provash. Më 8 qershor 2022, ai i shpëtoi një tjetër atentati në hyrje të Niklës në Fushë-Krujë, duke marrë një plumb në nofull. Në shtator 2019 iu bë atentat, ku për fat të keq, në atë kohë, viktimë mbeti halla e tij. Në janar 2022 u prangos nga RENEA pas një operacioni që çoi në arrest 19 persona, por edhe pas atij arrestimi, ai u la i lirë.