Në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar ka nisur sot viti i ri shkollor 2024-2025.
Sipas Ministrisë së Arsimit, janë në total 350 mijë nxënës që do fillojnë vitin e ri arsimor, ndërsa 28 mijë prej tyre kalojnë për herë të parë pragun e shkollës.
Edhe pse sipas të dhënave nga ministria, numri i nxënësve është më i lartë se një vit më parë, situata në qarqet e vendit paraqitet tepër problematike.
Në Korçë, shkollat e fshatrave Kodras në Kolonjë, Kapshticë në Devoll si dhe Mjaltas, Desmirë, Zvarisht dhe Osojë në Bashkinë e Maliqit nuk do të hapin dyert këtë fillim viti shkollor për shkak të mungesës së nxënësve. Ulja e numrit të nxënësve vihet re edhe tek regjistrimet në klasë të parë. Sipas Drejtorisë Arsimore, për këtë vit shkollor janë regjistruar në klasën e parë 1302 nxënës nga 1698 që u regjistruan vitin e kaluar. Ndërsa në klasën e 10 janë regjistruar 502 nxënës më pak.
Nga ana tjetër, në Shkodër këtë vit të ri shkollor janë rreth 400 nxënës më pak ose 2% krahasuar me një vit me parë. Autoritetet bëjnë me dije se 3 shkolla janë mbyllur këtë vit dhe nxënësit do drejtohen në shkolla të tjera në qendra të fshatrave, ndërkohë që 3 shkolla do jenë me turne të dyta.
Edhe në bashkitë e qarkut Elbasan, rënia e numrit të nxënësve varion nga 2.5% deri në 5%. Sipas të dhënave të Zyrës Vendore të Arsimit (ZVA) Elbasan, këtë vit ulen për herë të parë në bankat e shkollës 1164 nxënës, 148 më pak se vitin e kaluar, ndërsa në klasën e 10-të janë regjistruar 1190 gjimnazistë, 106 më pak se një vit më parë. Aktualisht, numri total i nxënësve në Elbasan është 15,333, të shpërndarë në 64 shkolla, nga të cilat 57 janë publike dhe 7 private.
Ndërkohë që në Fier, 680 nxënës janë regjistruar në klasën e parë. Në shkollat 9-vjeçare të këtij qarku do të jenë 9,429 nxënës, ndërsa në arsimin e mesëm numërohen 2,013 nxënës. Në Mallakastër fillojnë vitin e ri shkollor 1404 në 9-vjeçare dhe 509 në të mesmen. Në Patos numri i nxënësve në 9-vjeçare 1397, në të mesmen 333. Dhe në Roskovec 1730 nxënës janë në shkollat 9-vjeçare dhe 530 në të mesmen.
Në Vlorë 11350 nxënës nisin vitin e ri shkollor ndërsa 850 ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Në zyrën vendore të bashkisë Vlorë-Himarë janë 9 gjimnaze dhe 28 shkolla 9-vjeçare, ndërkohë që nuk ka shkolla të mbyllura por nxënësit janë bashkuar në klasa e shkolla të përbashkëta.