Viti i ri shkollor nis me 125 mijë fëmijë më pak se një dekadë më parë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 09.09.2024, 08:48

Rënia e numrit të nxënësve në sistemin arsimor në Shqipëri po përshpejtohet vit pas viti, duke sjellë pasoja të dukshme në strukturën e shkollave dhe komunitetit arsimor në tërësi. Për vitin shkollor 2024-2025, pritet që rreth 238 mijë fëmijë të ndjekin arsimin 9-vjeçar publik, një ulje prej 7.8% krahasuar me vitin e kaluar, ku ishin regjistruar 258 mijë nxënës. Kjo rënie përbën një humbje prej 20 mijë nxënësish.

Krahasuar me vitin shkollor të kaluar, ku rënia ishte 3.4%, përshpejtimi i kësaj tendence është evident. Që nga viti 2014, numri i fëmijëve në ciklin 9-vjeçar ka rënë me 34.5%, ose 125 mijë nxënës më pak. Ky trend është drejtuar nga faktorë të tillë si rënia e lindjeve dhe emigracioni i lartë, duke ndikuar veçanërisht në zonat rurale ku numri i fëmijëve është më i ulët dhe ku mbylljet e shkollave janë më të shpeshta.

Nga viti 2000 deri në 2023, numri i shkollave 8-9-vjeçare është zvogëluar me 42%. Që nga viti shkollor 2012-2013, janë mbyllur 295 shkolla, duke e çuar numrin total të shkollave në 1051 nga 1346 që ishte në 2013. Tkurrja më e madhe vjen nga zonat rurale, ku mungesa e nxënësve ka çuar në mbylljen masive të institucioneve arsimore.

Sipas censit të vitit 2023, rënia e numrit të të rinjve në grupmoshën 15-19 vjeç është 47%, nga 268,756 në vitin 2011 në 142,943 në 2023, duke reflektuar një tkurrje të konsiderueshme të popullsisë së re. Ky ndryshim demografik tregon për një sfidë të madhe për të ardhmen e arsimit dhe shërbimeve në Shqipëri.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit