Dron mbi burgun e Burrelit: E ngriti një grup kriminal!

Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 08.09.2024, 19:38

Një dron është kapur duke fluturuar mbi burgun e Burrelit, duke shkaktuar alarm në sistemin e sigurisë. Drejtoria e Burgjeve njoftoi se grupet kriminale kanë tentuar të përdorin pajisjen për të futur sende të paligjshme brenda burgut.

Megjithatë, në dron nuk u gjetën objekte të paligjshme, por dyshohet se u përdor për të marrë pamje nga brenda. Policia po heton lidhur me këtë rast dhe pajisja do t’i nënshtrohet ekspertizës.

Hetimet për bashkëpunëtorët jashtë burgut janë në vijim.

Njoftimi i Drejtorisë së Burgjeve:

Sistemi i burgjeve shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me organet ligjzbatuese, ka treguar edhe një herë gadishmërinë dhe efikasitetin e tij të plotë në parandalimin e veprimtarive të paligjshme të grupeve të strukturuara kriminale. Përpjekjet e fundit për përdorimin e mjeteve fluturuese për qëllime të paligjshme janë neutralizuar në kohë reale.

Inteligjenca operative e sistemit ka administruar të dhëna të besueshme mbi planet e një grupi kriminal për të futur sende të ndaluara në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Burrel. Në përgjigje të kësaj, janë ndërmarrë masa të menjëhershme, duke përdorur teknologji digjitale të avancuar, për të parandaluar çdo përpjekje për realizimin e qëllimeve të tyre kriminale.

Droni i kapur nuk përmbante sende të ndaluara, por hetimet tregojnë një tendencë të grupeve kriminale për të marrë pamje nga brenda burgjeve të sigurisë së lartë, me qëllim mbledhjen e informacioneve për veprimtari të mëtejshme të paligjshme.

Aktualisht, pajisja fluturuese do t’i nënshtrohet ekspertimit daktiloskopik me qëllim identifikimin e gjurmëve papilare, dhe më pas ekspertimit kompjuterik për të identifikuar numrin IMEI dhe çdo informacion të administruar nga kjo pajisje. Po kryhen veprimet e para procedurale, dhe materialet përkatëse do të referohen në prokurorinë respektive.

Në bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë, Policinë e Shtetit dhe strukturat e tjera inteligjente, po punohet intensivisht për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve jashtë regjimit të burgut.

Sistemi i burgjeve shqiptare mbetet i vendosur në ruajtjen e rendit dhe sigurisë së institucioneve të tij, duke përmirësuar vazhdimisht masat mbrojtëse dhe teknologjinë për të përballuar çdo kërcënim të mundshëm

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit