Bandat shqiptare të drogës po rekrutojnë nëpërmjet rrjeteve sociale punëtorë për të rritur bimën e kanabisit, duke i joshur me oferta speciale.
Duke i ofruar 30% të fitimeve nga shitja, ata pretendojnë të tërheqin sa më shumë punëtorë, si pasojë e rënies dramatike të numrit të shqiptarëve që futen në rrugë ilegale në Mbretërinë e Bashkuar dhe rritjes së numrit të shqiptarëve që dënohen me burg për kultivim kanabisi ose deportohen pas mbërritjes në Britani.
“Është tronditëse që bandat kriminale përdorin mediat sociale për t’i joshur njerëzit të punojnë në kushte të neveritshme dhe të kultivojnë drogë si kanabisi me premtime të rreme. Qoftë online apo në rrugët tona, nuk duhet të ketë vend për t’u fshehur për ata që shkelin ligjin. Ne jemi duke rritur aktivitetin e zbatimit për të bërë më shumë arrestime, duke rritur ndjekjet penale jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, por me partnerë në të gjithë Europë, dhe duke siguruar që të gjithë partnerët tanë përkatës po punojnë krah për krah nën komandën tonë të re të sigurisë kufitare”, tha Angela Eagle, Ministrja e Sigurisë Kufitare.
“Kërkojmë punëtorë për shtëpitë me bar. Nëse kujdeseni për 80 bimë, merrni 25 për qind të produktit dhe ne paguajmë shpenzimet”, shkruante një njoftim. Ndërsa një tjetër njoftonte se ofrohej një pagë prej 9,000 £ për punë tre mujore brenda një shtëpie kanabisi, duke përfshirë rritjen e bimëve, korrjen dhe paketimin.
Bandat shqiptare kanë arritur të dominojnë tregun vendas të kanabisit, ku bimët rriten në shtëpi apo ambiente industriale të lira duke përdorur teknologjinë hidroponike të importuar nga fermat e vendlindjes së tyre.
Vetëm dekadën e kaluar, kanë uzurpuar vietnamezët si furnizuesit kryesorë të kanabisit për përdoruesit në Mbretërinë e Bashkuar. Mbajtja e tyre në treg u forcua me fluksin e vazhdueshëm të punëtorëve nga një grup prej rreth 12,000 emigrantësh të paligjshëm shqiptarë që mbërritën në vitin 2022, mirëpo këto shifra ranë duke e shpallur “në krizë” për punëtorë këtë metodë pune.