Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), më parë i njohur si ERT, ka shpallur fituesin e një tenderi të rëndësishëm për mirëmbajtjen dhe operimin e bazës së të dhënave të centralizuar të Portabilitetit të Numrit (CRDB), si dhe për përmirësimin e sigurisë së sistemit. Fitues i tenderit është shpallur kompania INFOSOFT SYSTEMS, e cila ka ofruar një vlerë prej 25,518,247 Lekë të reja pa TVSH ose gati 300 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Proçedura e këtij tenderi ka qenë e hapur dhe mbi kufirin e lartë monetar, por është shoqëruar me mungesë konkurrence, pasi në garë ka marrë pjesë vetëm një kompani. INFOSOFT SYSTEMS, si e vetmja pjesëmarrëse, është shpallur automatikisht fituese e tenderit. Aktualisht INFOSOFT është me letra në pronësi të dy individëve të quajtur Armand Sharra dhe Bledar Dhima, por ka dyshime se realisht pas kompanisë fshihet themeluesi i grupit, Grigor Joti.

Sipas të dhënave të publikuara, fondi limit i vendosur nga AKEP për këtë tender ka qenë 26,325,000 Lekë të reja pa TVSH. Krahasuar me këtë fond, vlera fituese prej 25,518,247 Lekë përfaqëson 96.93% të shumës së fondit limit.

Ky tender ka numrin e referencës REF-13159-07-15-2024 dhe titullari i institucionit përgjegjës është Tomi Frashëri. Proçedura e zhvilluar ngre pyetje mbi konkurrencën e tregut në sektorin e mirëmbajtjes së të dhënave të centralizuara, veçanërisht kur vetëm një kompani paraqitet në një tender të hapur me një fond të lartë monetar.
Duket se Tomi i AKEP është zgjuar nga gjumi dhe ka filluar të përfitojë ndonjë valixhe nga INFOSOFT.