Një gjumë i mirë është ndër arsyet kryesore që mund ta bëjë ditën tuaj më të bukur dhe më produktive.
Disa njerëz mund ta bëjnë gjumin më mirë se të tjerët, disa flenë "thellë" e disa të tjerë mund të zgjohen qoftë nga një zhurmë fare e vogël.
Por a e dini se ka disa njerëz që nuk mund t'i zërë gjumi nëse nuk ka një zhurmë të butë në sfond, qoftë ky një televizor ndezur me volum të ulët, një ventilator, dëgjimi i muzikës apo akrepat e orës?
Interesante është se as vetë këta persona nuk e kuptojnë pse e kanë kaq të nevojshme të dëgjojnë një zhurmë në sfond në mënyrë që t'i zërë gjumi.
Kjo enigmë duket se është zgjidhur nga një terapist, i cili ka shpjeguar arsyen e pazakontë pse disa njerëz s'mund të flenë pa një " zhurmë shoqëruese".
Nën emrin e një llogarie në Tiktok me emrin DCLAnxiety, terapisti shpjegon se zhurma në sfond është një trik që e bën trurin të besojë se nuk po flini vetëm, raporton LADbible.
Sipas tij, e gjithë kjo ka të bëjë me ankthin, frikën nga braktisja dhe frikën e të qenit vetëm.