Një ngjarje e rëndë ndodhi të premten, më 31 gusht, në afërsi të qytetit Siegen në Gjermani, ku një grua me origjinë gjermane, e cila dyshohet se ka probleme psikike, sulmoi me thikë pasagjerët e një autobusi, duke plagosur gjashtë persona. Dy prej tyre janë ende në rrezik për jetën.
Kryebashkiaku i Siegenit, Steffen Meus, theksoi se tragjedia mund të kishte qenë edhe më e madhe, nëse nuk do të kishin ndërhyrë tri gra me prejardhje migrantësh, të cilat ndaluan sulmuesen dhe parandaluan një katastrofë të madhe.
Sipas “DW” gratë që kanë evituar tragjedinë janë me origjinë shqiptare dhe inicialeT e tyre janë: A. L., A.K. dhe B. R.
Kjo e fundit në një bisedë me gazetarët ka treguar se çfarë ndodhi atë ditë në autobus. Ato kanë qenë së bashku me katër fëmijë duke shkuar në festë në qytetin Siegen kur ndodhi sulmi.
"Kemi qenë në autobus duke u kënaqur, duke kaluar jashtëzakonisht mirë, duke qeshur e argëtuar me fëmijë... papritur është dëgjuar një piskamë. E kam parë që një grua po qëllonte të tjerët me thikë. Ka dashur të sulmojë edhe fëmijët tanë... A. L. ia ka kapur thikën me dorë dhe së bashku me A. K. e kanë kapur e kanë rrëzuar këtë grua. Unë kam kapur fëmijët dhe i kam nxerrë jashtë me shpejtësi... jam kthyer në autobus dhe ia kam marrë nga dora një çantë sulmueses... ia kemi nxjerrë thikën nga dora dhe e kemi shtrirë për toke. Njëra e mbante për duar, tjetra për këmbë... dikur ajo gruaja bërtiti "ich erbege mich" (dorëzohem)... u ul me një karrikë në autobus dhe aty e kemi mbajtur duke pritur derisa sa të vinte policia... Autobusi ishte përplot me gjak në të gjitha anët,,, ishte tmerr".
Vetëm pas daljes nga autobusi A.L. ka vërejtur se në dorë kishte një plagë të madhe nga thika. Ajo dhe të lënduarit tjerë janë dërguar menjëherë në spital. A.L. ka dalë ndërkohë nga spitali dhe tani është më mirë me shëndet. Por shoku i tyre është ende i madh.
Shqiptaret thonë se pas sulmit janë vizituar nga autoritetet e qytetit. Kryetari i bashkisë i ka falënderuar për guximin e treguar dhe për faktin që me siguri kanë shpëtuar edhe shumë të tjerë, që mund të kishin rënë viktimë. Të premten gjatë natës janë trajtuar edhe nga psikologë, por për fat të mirë, ato kanë edhe familjet e tyre pranë vetes.
Megjithatë frika dhe ankthi ende janë të mëdha. "Sa herë i mbyll sytë, më paraqiten ato pamje të tmerrshme", thotë B. R.