Franca ka deportuar për herë të dytë një 41-vjeçar shqiptar i cili mbërriti atje në vitin 2015, punon si kuzhinier dhe ka ndërtuar familjen me dy fëmijë.
Gazmir Hoti, 41 vjeç, u deportua në Shqipëri të martën. Në një situatë të parregullt, shqiptari që jeton në Surgères dhe punon në La Rochelle u arrestua në mëngjes në shtëpinë e tij dhe më pas u kthye në vendin e tij të origjinës.
Familjarët dhe miqtë e tij janë kundër këtij deportimi dhe janë mbledhur në portin e La Rochelle, në restorantin ku Gazmir Hoti punon prej muajit prill si kuzhinier.
Në njërën nga tavolinat kanë vendosur fotot e tij me fëmijët e tij. Për më tepër, një nga vajzat e tij, 6 vjeç, mbërriti në restorant me një letër të shkruar në duart e saj dhe drejtuar prefektit me këtë mesazh:
"Dua që babi të kthehet, nuk mund të fle pa të".
Ky baba shqiptar 41-vjeçar u arrestua mëngjesin e së martës në shtëpinë e tij në Surgères (Charente-Maritime) dhe u deportua në Shqipêri edhe pse ishte kërcënuar me jetë nga ish-bashkëshorti i motrës së tij.
Në Francë që nga viti 2015, shqiptari rindërtoi jetën e tij dhe takoi partneren e tij aktuale, gjithashtu shqiptare. Por me detyrimin për t'u larguar nga territori francez, Gazmiri u dëbua për herë të parë në vitin 2022 përpara se të kthehej në Francë disa ditë më vonë.
Gjatë muajve në vijim u bënë edhe dy tentativa për dëbim, por në dy raste ai “u rebelua” në avionin që do ta kthente në Shqipëri dhe në fund nuk u largua. Prefektura saktëson gjithashtu se ai është dënuar në vitin 2023 me 500 euro gjobë nga gjykata gjyqësore e Bordosë për “pengim largimi”.
Gruaja e tij me lot në sy thotë:
“Nuk ndihemi mirë, jemi të traumatizuar nga situata. Ne vuajmë për asgjë, punojmë të dy, është shumë e vështirë, nuk i shoh fëmijët duke qarë".
Prefekti i Charente-Maritime thotë se dëbimi i tij ka ardhur nga autoritetet franceze që nuk i pranojnë kërkesën për azil.
“Kërkesat e tij për azil u refuzuan, jo nga prefektura, por nga OFPRA, zyra franceze për mbrojtjen e refugjatëve dhe personave pa shtetësi. Shqiptari punon në një restorant pa autorizim sepse autorizimi i punës është refuzuar në restorant. Jemi në zbatimin e rreptë të ligjit” dhe “askush nuk ia imponon republikës ligjet, zotëria është deportuar logjikisht. Ai duhet të aplikojë për vizë pune meqë flet gjuhën dhe ka një profesion”.