Një tender për rikonstruksionin e kopshtit të fëmijëve në Fushë-Arrëz ka ngritur dyshime për korrupsion, pasi në këtë garë ka fituar operatori me ofertën më të lartë. Bëhet fjalë për një tender të organizuar nga Bashkia Fushë-Arrëz e drejtuar nga Hil Curri. Objekti i procedurës është “Rikonstruksion i kopshtit të fëmijëve Fushë-Arrëz” dhe ka si numër reference REF-13277-07-16-2024.

Sipas të dhënave zyrtare, bashkimi i kompanive G & M CONSTRUCTION 07 dhe COLOMBO është shpallur fitues me një ofertë prej 39,800,124.22 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 500 milionë lekë të vjetra me TVSH, ndonëse në garë morën pjesë katër operatorë të ndryshëm që ofruan shifra më të ulëta. G & M CONSTRUCTION 07 rezulton të jetë në pronësi të Maliq Zotkaj dhe Oligert Dyrmishi, ndërsa COLOMBO ka si pronare Diana Laba.

Ky rezultat është shqetësues, duke pasur parasysh se është përzgjedhur oferta më e lartë, në vend që të zgjidhej një ofertë më e ulët dhe më e favorshme për buxhetin publik. Fondi limit për këtë tender ishte 42,811,775.00 lekë, dhe kjo përzgjedhje ka ngritur pikëpyetje rreth transparencës dhe integritetit të procesit të tenderimit, edhe për faktin se vlera fituese është sa 93% e fondit limit.

Ky rast hedh dyshime serioze mbi mënyrën se si po menaxhohen fondet publike dhe ngre shqetësime për praktikë korruptive që dëmton interesin publik dhe efektivitetin e shpenzimeve shtetërore.