Familjarët dhe banorët e zonës kanë folur për vrasjen e muratorit shqiptar, Shpëtim Ayvazi, nga fqinji i tij italian, Renato F, në Belgjikë.
Vendi “i lakmuar” i parkimit u bë shkak që 43-vjeçari, baba i tre fëmijëve të vritej me plumb në kokë brenda furgonit të tij, ndërsa kushëriri 19-vjeçar u plagos rëndë në gjoks kur po parkonte automjetin tip “Golf”.
“Kjo është zonë e shtrenjtë dhe zor se gjen vend parkimi”, thanë banorët e lagjes, duke theksuar se konfliktet mes tyre për vendin e parkimit para pallatit ku jetonin kishin nisur prej kohësh.
Një fqinj shtoi se policia kishte ndërhyrë disa herë për të sheshuar konfliktet e tyre, por pa rezultat.
“Humbi një jetë për një arsye kaq banale. Vetëm kështu mund të zgjidhej? A nuk janë më në gjendje njerëzit ta zgjidhin diçka duke folur? Jemi të prekur”, u shpreh ai.
Përveç bashkëshortes dhe djalit 15-vjeçar, Shpëtimi la pas edhe dy fëmijë të tjerë, 13 dhe 5 vjeç.
Ai kishte 17 vjet që punonte për një kompaninë e suvatimit “Consteca”, në Londerzeel. Kolegët e tij u shprehën se Shpëtimi ishte besnik dhe nuk shkaktonte probleme.
Gjithashtu, fqinji italian vuri në shënjestër gruan dhe djalin 15-vjeçar të viktimës, që për fat të mirë shpëtuan. Dëshmitarët në ngjarje u shprehën se pas të shtënave gruaja dhe djali i madh i viktimës dolën nxitimthi nga shtëpia. Sakaq, Renato F. i kërcënoi me armë.
“Ai drejtoi armën drejt tyre, si të ishin të radhës. E panë Shpëtimin në furgon. E panë duke vdekur. Është e tmerrshme!”, dëshmoi Bashkim Ayvazi, kushëriri tjetër i viktimës.
Pas ngjarjes, italiani, i cili ishte i divorcuar dhe jetonte me djalin 20-vjeçar, tentoi të arratisej.
Banorët e lagjes u ndanë në dy grupe kur u pyetën për fqinjin e tyre, autorin e ngjarjes. Disa e konsideruan të sjellshëm e punëtor, disa të tjerë, gjaknxehtë, të ashpër e jo miqësor. Madje, punëdhënësi i tij e lavdëroi.
“Është një nga hidraulikët më të mirë që kam pasur. Më thoshte ndonjë gjë tek-tuk për problemet që kishte me fqinjin, i cili po ia bënte jetën malore me sjelljen tiranike. Por, sigurisht, nuk zgjidh gjë duke qëlluar me armë”, theksoi ai.
Autori i ngjarjes është marrë në pyetje nga policia të hënën më 26 gusht, ndërsa shtëpia e tij dhe e viktimës u vulosën në pritje të rindërtimit të fakteve.