Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, mund t’i vizitojë edhe shkollat pas vizitës që ua bëri minatorëve në “Trepçë”, me qëllim që sipas tij, “të mundohet t’i frikësojë mësimdhënësit”.
Në një reagim drejtuar mediave, Jasharaj pohon se “Qeveria Kurti me qasjen kundër dialogut dhe me luftën kundër zërave kritik të sindikatave mund të vazhdojë betejat, sikur ajo e Ministrit Sveçla për t’u takuar me punëtorë e për t’u munduar t’i frikësojë , ata siç ndodhi në takimin me minatorët, që janë plot halle e varfëri”.
“Kjo qasje për të heshtuar zërat e punëtorëve e për të shuar e zhdukur sindikatat nuk do të ndalet. Vizita e ministrit të punëve të brendshme të minatorët e fjalori e zëri i tij i ngritur është ajo që nuk ka ndodhur e nuk duhej të ndodhte në shtete demokratike. Çka kërkoi te minatorët ky Sveçla? . Nuk u solli lajme të mira , por shkoi me qëllim që t’ua fus frikën në palcë e t’ua mbyll gojën që të mos dalin kurrë më e të mos kërkojnë paga , por të vdesin urie nëse duhet”, thotë ai.
Tutje, ai ka pohuar se nuk do të habitet nëse Sveçla viziton shkollat, dhe mundohet t’i frikësojë mësimdhënësit.
“Ky Sveçla, i trimëruar nga do poza në Ujman e te Ura, pasi ishte i mbrojtur nga djelmoshat e shkëlqyer e atdhetar si pjesëtarë të policisë sonë. Nuk është e habitshme nëse më 2 shtator e merr me veti Nagavcin e dalin nëpër shkolla e duke u takuar me mësimdhënës do të trimërohen nga pritja e tyre dhe do të mundohen t’i frikësojnë e të kërkojnë nga ata se kush është ai që po guxon të kritikojë Qeverinë Kurti.
Kush është ai që guxon të kërkojë realizimin e të drejtave e kërkesave legjitime dhe se kush është ai që po guxon të kritikojë MASHTI-n dhe Qeverinë për mos ngritjen e pagave, për ndryshimet në dëm të punëtorëve të arsimit në Ligjin për skemat pensionale dhe për mohimet që u bëhen në të drejtat e fituara”.
“Sveçla e Nagavci mund të vizitojnë shkollat, sikur bëri ky Sveçla me një ministre tjetër të minatorët, por le të mendojnë mirë para kësaj sepse na kishin “vizituar” në vitet 90-ta alamet hyqymeti duke treguar armë, pendreka e muskuj, por nuk na kishin frikësuar. Ne vazhduam ta mbrojmë arsimin shqip në përballje me gjithë ato kërcënime e dhunë”, pohon ai.
Tutje, ai ka paralajmëruar ministrin që me fjalime të zëshme mos të niset nëpër shkolla.
“Ministër Sfeçla, ashtu si i vizitove minatorët me fjalim të zëshëm e me tendencë për të mbjellur frikë, mos u nis nëpër shkolla se do të kthehesh i turpëruar e me kokën ulur. Ministër Sveçla punëtorët e arsimit, që nga çerdhet e deri në universitete janë bashkë e në SBASHK”.