Kompania turke “Kurum” e cila operon në Shqipëri që prej vitit 1998 ka mbyllur uzinat duke ndaluar punën me pretendimin se është në proces remonti.
500 punëtorë të uzinës së çelikut dhe të uzinës së petëzimit janë njoftuar për ndërprerjen e njëanshme të kontratës pa arsye zyrtare për pezullimin.
Burime për JOQ ALBANIA bëjnë me dije se nga data 1 gusht uzina ka ndalur punën në Uzinën e Çelikut ndërsa nga data 20 gusht është mbyllur edhe Uzina e Petëzimit.
Edhe pse deri tani nuk ka pasur asnjë konfirmim nga drejtuesit e “Kurum” për vendimin, ka dyshime se shkak është bërë kapja e një ngarkese me mbetje toksike rreth 800 ton në Tajlandë.
Në dokumente ka rezultuar se “Kurum International” është origjina e mbetjeve të dyshuara si të rrezikshme që janë eksportuar nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën, duke përhapur një alarm global.
Kompania “Kurum” ka hedhur poshtë deklaratat e Ministrisë së Mjedisit se ngarkesa ishte e saj, duke theksuar se i respekton të gjitha rregullat për trajtimin e mbetjeve, toksike apo jo. Por sipas prokurorisë mbetjet toksike janë transportuar nga “Kurum” në Portin e Durrësit nga kompania e transportit “Sokolaj”, e cila është pjesë e hetimeve gjithashtu.
Përfaqësuesja e kompanisë Sokolaj, ka deklaruar në polici se mbetjet, të cilët ajo i ka emërtuar si oksid hekuri, janë blerë nga “Kurum” në nëntor 2023 për 41 mijë dollarë dhe i janë shitur një kompanie në Kroaci, GS Minerals D.o.o për 141 mijë dollarë ndërsa kontejnerët janë nisur nga Porti i Durrësit më 4 korrik 2024.
Kompania turke “Kurum International”, është një ndër furnizuesit kryesorë rajonal të shufrave të hekurit për ndërtim dhe një punëdhënës i rëndësishëm për qindra punëtorë në Elbasan.
Për të reduktuar ndotjen e shkaktuar nga industria, “Kurum” ka instaluar në vitin 2010 një sistem filtrash për kapjen e mbetjeve të hirit nga trajtimi i gazeve të oxhakut në Kombinatin Metalurgjik. Megjithatë, ky sistem nuk ka qenë mjaftueshëm efektiv për të eliminuar problemet mjedisore që shoqërojnë aktivitetin e kompanisë.
“Kurum” vazhdon të prodhojë mijëra ton mbetje të rrezikshme të hirit të oxhakut çdo vit. Këto mbetje, të cilat përmbajnë oksid zinku (ZnO), klasifikohen si substanca të rrezikshme dhe raportohen sipas katalogut të mbetjeve me kodin 10 02 07*.
Në një raport të qershorit 2021, kompania deklaroi se pluhurat e kapura nga sistemi i filtrimit janë ambalazhuar në thasë dhe mund të eksportohen ose të përdoren në vend për prodhimin e bojërave, por për një periudhë të caktuar nuk është bërë evadimi i tyre. Në vend të kësaj, ato janë depozituar në sheshin përkatës të kompanisë, duke ngritur shqetësime për impaktin mjedisor të kësaj praktike.
Sasia totale e këtyre mbetjeve të prodhuara për më shumë se një dekadë nga Kurum dhe destinacioni i tyre mbetet i panjohur, por vetëm për një periudhë 3-mujore, kompania raportonte se kishte akumuluar 2500 ton pluhura, të cilat deklarohen ndryshe edhe si oksid zinku.
Edhe qytetarët kanë treguar për JOQ ALBANIA se “Kurum” po grop materiale me mbetje toksike për të humbur gjurmët e materialeve të rrezikshme e me rrezatim.
Denoncimi i qytetarit:
Pershendetje JOQ.aktualisht tek metalurgjiku ne Elbasan konkretish tek kurumi po groposen material me mbetje toksike per te humbur gjurmet e materialeve me rrezatim qe kan.mund ta verifikoni shume thjesht.jan duke punuar 2 vinxha nom stop.flm Ju lutem bejeni publike sepse jeta e shume njerzve po vihet ne rrezik!