Erjon Goxhara, polici që plagosi me armë 45-vjeçarin, Lorenc Kosta, u la në burg nga Gjykata e Tiranës.
Goxhara shprehu pendesë për veprimin e kryer. Avokatët kërkuan masë më të butë sigurie sesa arrestit me burg, me argumentin e tronditjes së rëndë psikike. Deri në këto momente, Goxhara po hetohet për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Për këtë të dytën deri në çastin që do të provohet nëse arma e përdorur është e shërbimit ose jo. Gjykata pranoi kërkesën e avokatëve për ekspertizë të gjendjes psikike.
Kujtojmë se ai u vetëdorëzua në polici dhe deklaroi mes të tjerash se nuk kishte qëllim ta vriste. Ngjarja ndodhi pasi mësoi tradhtinë e bashkëshortes së tij me Kostën, të cilët punonin në të njëjtin ambient pune.
Dëshmia e Erjon Goxharës:
Ndodhesha tek Komuna e Parisit me time bijë, ishim ulur në një sufllaqeri. Para tavolinës kaloi Lorenc Kosta dhe më provokoi. Kaloi dy herë para tavolinës. Ai më ngacmonte gjithmonë kur përballeshim dhe më thoshte: “S’më bën dot gjë mua, sepse unë të heq nga puna!”. Në përballjen e fundit nuk durova më dhe e qëllova. Nuk kam dashur ta vras, prandaj qëllova poshtë. Pas ngjarjes kam telefonuar tim bir dhe e kam takuar. Ikëm bashkë me taksi për në Fresk. Aty jam përballur me një polic civil i cili më thirri me emër dhe më tha të qëndroj duke më nxjerrë armën. Unë i thashë më mirë vras veten sesa të dorëzohem dhe jam larguar në drejtim të Dajtit derisa vendosa të vetëdorëzohem.
Dëshmia e plotë e bashkëshortes së Erjon Goxharës:
Kam pasur një raport intim me shtetasin Lorenc Kosta. Kjo gjë ka ndodhur vetëm një herë, pas këtij momenti, kontaktet me Lorencin kanë qenë vetëm për çështje pune. Prej muajit Janar 2024 Erjoni ka shfaqur shenja xhelozie, duke u fiksuar që mund ta tradhtoja.
Fillimisht, pretendimet e tij për tradhti nga ana ime ishin pa ndonjë shkak të arsyeshëm apo bazë konkrete, saqë në vijim filloi të bëhej obsesiv dhe të më ushtronte presion psikologjik që unë t’i tregoja personin me të cilin e tradhtoja. Në fillim të muajit korrik, pas presionit të vazhdueshëm dhe dhunës fizike të ushtruar nga ana e Erjonit, unë i kam pranuar që e kisha tradhtuar vetëm 1 herë, vite më parë, me një kolegun e punës sime, shtetasin Lorenc Kosta.
Fillimisht Erjoni më ka thënë që t’i tregoj se do m’i falë të gjitha, por pasi unë i kam treguar në lidhje me flirtin e hershëm me shtetasin Lorenc Kosta, ai është bërë keq dhe më ka ofenduar, sharë dhe ushtruar dhunë fizike ndaj meje. Një javë pas këtij konflikti, Erjoni, nga telefoni im ka komunikuar me Lorencin dhe e ka kërcënuar me jetë”.
Dëshmia e plotë e djalit të Erjon Goxharës
Rreth orës 14:35 kur unë isha bërë gati për të dalë nga shtëpia dhe të shkoja në punë mua më ka marrë në telefon sërish babai im dhe më ka thënë se kishte plagosur Lorencin me armë. Unë e kam pyetur i revoltuar se përse e bëri. Ne kemi biseduar disa here pas kësaj telefonate ku ai më ka thënë që të dilja të rrethi i Shkozës pasi ne do të shkonim ne zonën e Freskut pasi atij i duhej të shkonte atje. Gjatë kohës që ne kemi komunikuar në telefon unë kam vënë re qe ai ishte në gjendje shumë të rënduar psikologjike dhe mua m’u duk që ai gjatë tërë kohës ishte në panik.
Unë kam dalë në vendin ku ai më tha që ta prisja dhe gjatë rrugës që ai po vinte kemi komunikuar disa herë të tjera ku e pyesja se ku ishte dhe nëse ishte mirë. Pasi babi ka ardhur te rrethi i Shkozës në këmbë ne kemi marrë një taksi dhe jemi nisur për në zonën e Freskut. Kemi ndjekur rrugën nga rrugicat ku banon ish-presidenti Bamir Topi kemi dal te restorant Fresku dhe më pas kemi marrë rrugën për nga zona e Thesarit në Fresk.
Gjatë rrugës pasi dhe unë kam qenë shumë i tronditur nga çfarë kishte ndodhur mesa mbaj mend babai im ka biseduar disa herë në telefon mesa unë kuptova me drejtues policie të cilët pyesnin se ku ai ndodhej por babi u ka thënë që nuk ua tregonte se ku ndodhej. Sapo ne kemi mbërritur te zona e Thesarit të shtetit kemi zbritur të dy nga taksia dhe shoferit të taksisë i tha të priste kurse mua më tha që ta ndiqja nga pas.
Menjëherë në këtë moment sapo ne kemi zbritur na janë afruar 2 punonjës policie të veshur civil të cilët e kanë thirrur në emër babain tim Erjon dhe ai sapo i pa u largua me vrap në drejtim të rrugicave të pallateve pranë Thesarit duke u thënë këtyre personave që më mirë vras veten sesa të kalbem në burg. Këta persona e kanë thirrur: “Erjon hajde me ne!”, por babi u largua me vrap dhe këta të dy e kanë ndjekur me vrap nga pas.
Menjëherë pas kësaj shoferi i taksisë u largua kurse unë kam qëndruar në trotuar dhe nga një mjet tip BMË X5 ngjyrë e bardhë mua më ka thirrur një person që të afrohesha unë kam refuzuar dhe më pas nga kjo makine ka zbritur daja im i cili quhet Marsel Seferi dhe është punonjës policie në dijeninë time në Strukturat Operacionale të Policisë.
Ai mu afrua mua dhe më mori dhe së bashku ne hipëm në mjetin BMË x5 për të cilin pasi e pyeta ai më tha se është mjet i punës. Mua daja pasi kam hipur në mjetin në fjalë më ka thënë se do të shkonim te Drejtoria e Policisë ku unë do të jepja deklarime për çfarë dija dhe se çfarë kishte ndodhur.
Pak a shumë ky është itinerari lëvizjeve të mia sot dhe se çfarë ka ndodhur, unë kaq arrij të mbaj mend pasi jam dhe shumë i tronditur psikologjikisht nga e gjitha çfarë ka ndodhur. Midis prindërve të mi ka rreth një muaj që kanë lindur disa kontradikta dhe debate mosmarrëveshje.
Me sa unë kam kuptuar dhe kam dëgjuar këto debate kanë lindur pasi im atë dyshonte se mamaja ime e tradhtonte atë me një koleg të punës. Mamaja ime prej afro 5 vitesh punon si specialiste pranë ERE-s. Pasi im atë e ka provokuar në lidhje me një koleg të saj të quajtur Lorenc mami ia ka pranuar babit që dyshimet që ai kishte në lidhje me Lorencin ishin të vërteta dhe se ajo e kishte tradhtuar.