Një pjesë e shkollave kanë nisur përgatitjet për punë në një turn, por shumë të tjera nuk kanë kushte për mësim vetëm në orarin e paradites. Pas pesë dekadave punë në dy turne, shkolla e mesme e Ohrit “Shën Klimenti i Ohrit” nga shtatori do të fillojë mësimin në një turn.
Paraprakisht në nje anketë të realizuar me prindërit dhe nxënësit, shumica kanë dhënë pëlqimin.
“Ka ndodhur që në matematikë, fizikë, biologji, kimi, do të thotë, në lëndët më të vështira, nxënësit të pyeten ose të jepen mësimet më të vështira në orën 19 të mbrëmjes, ai fëmijë sigurisht që nuk ka kapacitet. Dita e tij fillon në mëngjes me shkolla private, pastaj vazhdon këtu dhe mbaron në orën 19:00 me fizikë, për ligjin e Njutnit, etj. Pas gjithë atyre sondazheve që kemi bërë, arsimi dhe mënyra e punës së mëtejshme të atyre fëmijëve do të jetë shumë më e mirë kur të shkojnë në fakultet”, tha Svetllana Vellkovska- drejtore.
Vendimi për punë në një turn të vetëm, sipas drejtores ndër të tjera është marrë është për shkak të uljes së numrit të nxënësve në vitet e fundit.
“Nëse do të kishit numër më të madh të nxënësve, a do të mund ta realizonit këtë? Me siguri do të ishte e mundur, ku të ishte ai fat të kishim numër më të madh, jemi gati për këtë, sepse ata mësojnë me rotacion nëpër klasa. Mendoj se do të ndikohet shumë më mirë zhvillimi psikologjik i fëmijëve, sepse ndryshe është kur vijnë në orën 8 dhe mbarojnë në orën 13:30 ose 14.00”, u shpreh Svetllana Vellkovska- drejtore.
Nga ana tjetër gjimnazi i Strugës e ka të pamundur funksionimin në një turn. Sipas drejtores së “Ibrahim Temos”, gjimnazi nuk ka kushte të nevojshme për zhvillimin e mësimit me një turn, për shkak të numrit të madh të orëve dhe mësimit që zhvillohet në tri gjuhë.
“Ideja e funksionimit me një turn është pozitive, por ne nuk kemi kushte të mjaftueshme për këtë. Pa ndihmën e Ministrisë së Arsimit, për ndërtimin e hapësirave shtesë, nuk mund ta realizojmë këtë”, tha Besime Ionuzi – drejtoreshë e gjimnazit “Ibrahim Temo”- Strugë.
Sipas paralajmërimeve të ministres së Arsimit Vesna Jnevska nga shtatori në 124 shkolla fillore dhe të mesme në mbarë vendin mësimi do të zhvillohet në një turn.