Se të huajt në Zvicër dhe në veçanti shqiptarët (kryesisht shtetasit e Kosovës e të Maqedonisë) duhet të paguajnë më shumë për sigurimin e veturave të tyre, është një fakt që është konstatuar tashmë disa herë, edhe nga burimet kompetente dhe albinfo.ch ka shkruar për këtë disa herë.
Një artikull më gjithëpërfshirës rreth kësaj e ka publikuar sot gazeta zviceranme 20 minuten, duke ju referuar një analize të bërë nga kompania e specializuar për krahasimin e çmimeve të shërbimeve, Comparis. “Siguruesit zviceranë të makinave ndonjëherë u ngarkojnë të huajve prime shumë të larta, siç tregon një analizë e re, e bërë nga Comparis. Të rinjtë me shtetësi kosovare, maqedonase dhe turke në veçanti duhet të paguajnë më shumë se qytetarët zviceranë. Shtesat e primit për sigurimin gjithëpërfshirës (Vollkasko), te kosovarët shkojnë deri në 74.4 për qind. Diferenca më e madhe në çmimin e primit vlen për kosovarët 20-vjeçarë në qytetin e Bazelit që ngasin një Mercedes-Benz GLC: ata paguajnë mesatarisht 74.4 për qind më shumë se shtetasit zviceranë. Në vendin e dytë janë shtetasit e Maqedonisë (73,6 për qind) dhe turqit (72,9 për qind) – gjithashtu në Bazel dhe me një Mercedes-Benz.
Në të kundërt, të rinjtë portugezë në Bazel paguajnë “vetëm” 24.2 për qind më shumë për sigurimin gjithëpërfshirës për një Mercedes-Benz GLC.
Diferenca më e madhe për shoferët e rinj nga Spanja në krahasim me zviceranët është 19.8 për qind (e konstatuar për një makinë Škoda Octavia) në Bazel. Të rinjtë italianë duhet të paguajnë tarifat më të larta në St. Gallen (16.9 për qind, VW Golf), transmeton albinfo.ch. Premia më e madhe për shoferët e rinj gjermanë është në Bazel me 2.6 përqind (Škoda Octavia). Nëse ata kanë një Mercedes-Benz GLC, gjermanët në Bazel paguajnë rreth një për qind më shumë se zviceranët.
Comparis në analizën e vet ka përdorur vetëm profilet e drejtuesve të makinave pa dëmtime të mëparshme.
Për shoferët me përvojë, tarifat shtesë për të huajt janë më të ulëta se sa për shoferët e rinj, por ato janë megjithatë shumë më të larta në krahasim me tarifat që paguajnë zviceranët. Kështu, një kosovar 42-vjeçar paguan 54.8 për qind më shumë në qytetin e Cyrihut se sa një zviceran, ndërsa për një shtetas të Maqedonisë së Veriut pagesa është 54.7 për qind më e lartë dhe një turk (gjithmonë me Mercedes-Benz GLC) paguan 53.7 për qind më shumë për sigurimin vollkasko.