Gjyqtarja Luljeta Kole duket se ka pësuar një "goditje të rëndë" emocionale pas publikimit të fotos së saj nga JOQ, ku sipas saj, mediat kanë synuar t’i denigrojnë figurën. Kjo indinjatë e gjyqtares erdhi menjëherë pasi u bë e ditur në media se ajo kishte pranuar uljen e masës së sigurisë për Denis Meçen, i akuzuar për "Vrasje nga pakujdesia".
Me një vendim që ngjalli jo pak debate, Kole zgjodhi të mbështeste kërkesën e prokurores Vasjana Postol e cila me këtë akuzë bën që vrasësi i Egli Progës t’ia hedhë paq edhe thjesht me një gjobë.
Por menjëherë pasi JOQ bëri një artikull për këtë dhe publikoi foton e saj, gjyqtarja në fjalë “u ndje e lënduar”. Ndonëse ishte pikërisht ajo që mori një vendim të paprecedent duke i thjeshtuar në maksimum pasojat për Denis Meçen, tani është "shumë e shqetësuar" për mënyrën se si është portretizuar nga JOQ.
Duket se gjyqtarja Luljeta Kole ka kaluar një nga ato ditë të vështira kur vendimet e saj “të urta” për drejtësinë papritmas bëhen kryefjala e mediave.
Pas vendimit për të pranuar uljen e masës së sigurisë për Denis Meçen, një individ i akuzuar për "Vrasje nga pakujdesia", Kole u përball me diçka të papritur: indinjatën e publikut. Dhe, për çudi, kjo nuk ndodhi për shkak të ndonjë shqetësimi për drejtësinë, por thjesht sepse dikush guxoi të vinte në pikëpyetje “madhështinë” e vendimit të saj.
Gjithë kjo situatë “e ka lënduar thellë” gjyqtaren, e cila tani është më e shqetësuar për imazhin e saj sesa për drejtësinë.
Në fund të fundit, çfarë rëndësie ka siguria e qytetarëve dhe respektimi i ligjit kur në lojë është reputacioni i një gjyqtareje kaq të “ndershme”? Sigurisht, vendimi për të lejuar një vrasës që të lëvizë i lirë pas pagimit të gjobës është thjesht një detaj i vogël – e rëndësishme është që Kole të mos shfaqet keq në ndonjë artikull të JOQ.
Dhe kur media guxon të publikojë këtë “tronditje” për drejtësinë, gjyqtarja Kole nuk vonon të ngrejë flamurin e lëndimit moral, duke bërë me dije se ky është një sulm i padrejtë ndaj saj.
Gjykata e Korçës, si gjithmonë në mbrojtje të “virtytit” të gjyqtarëve të saj, doli në mbrojtje, duke paralajmëruar se kritikët janë thjesht përpjekës për të “denigruar figurën e gjyqtarit të çështjes”.
Kështu që tani, ndërsa qytetarët mendojnë për sigurinë e tyre dhe drejtësinë që duket aq larg, gjyqtarja Kole ka diçka shumë më të rëndësishme për të menduar: si të ruajë imazhin e saj të paprekshëm nga kritikat e medias dhe publikut. Në fund të fundit, figura e një gjyqtareje është shumë më e vlefshme sesa drejtësia që ajo supozohet të mbrojë, apo jo?
Në vijim do të gjeni reagimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë:
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, nisur nga rëndësia e ngjarjes dhe duke marrë shkas nga publikimet në median e shkruar dhe atë vizive, si dhe nga lajmet e publikuara në rrjetet sociale dhe portale të ndryshme për ngjarjen e ndodhur në qytetin e Pogradecit, në të cilën ka humbur jetën shtetasi Eglantin Proga, bën me dije sa më poshtë:
Në datë 12 gusht 2024, ora 15:30, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë është paraqitur pranë kësaj gjykate kërkesa për vleftësimin e arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal "arrest në burg" ndaj shtetasit D. M, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale "Vrasja nga pakujdesia", parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal dhe vleftësimin e arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal "Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore" ndaj shtetasve V. Sh, A. M dhe L.G si të dyshuar për veprën penale "Moskallëzimi i krimit", parashikuar nga 300 i Kodit Penal.
Pasi ka vlerësuar kërkesën e prokurorisë dhe përmbajtjen e akteve të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë të hetimit, gjykata ka vendosur pranimin e kërkesës, duke e vlerësuar atë si të bazuar në ligj dhe në prova.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë nënvizon se në këtë fazë të procesit penal, në shqyrtimin e kërkesave për caktimin e masave të sigurimit personal, gjyqtari i hetimeve paraprake nuk mund të bëjë ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale për të cilën procedohet personi nën hetim dhe as të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar.
Përcaktimi i plotë dhe saktë i rrethanave të faktit dhe përgjegjesisë penale të secilit person të përfshirë, i takon vijimit të hetimeve. Në përfundim të hetimeve, është gjyqtari i seancës paraprake i cili vlerëson plotësinë e tyre dhe cilësimin juridik të veprës penale.
Për këtë arsye, nxjerrja e përfundimeve në këtë fazë fillestare të hetimeve, nuk i shërben vijimit të tyre dhe as besimit të opinionit publik mbi punën organeve të sistemit të drejtësisë.
Nga ana tjetër, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë vëren me shqetësim disa artikuj të publikuar në media, të cilat synojnë apo tentojnë të denigrojnë figurën e gjyqtarit të çështjes, duke ritheksuar zbatimin e ligjit me korrektësi dhe saktësi maksimale në çdo rast.