Një polic maqedonas, i arrestuar në Kosovë, po dyshohet se ka prodhuar rreth 2 milionë monedha false prej 2 eurosh, ka thënë Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale (Eurojust). Mijëra monedha që u falsifikuan nga grupi i tij, përfunduan në Kosovë.
Polici 34-vjeçar, në vend se të ndiqte falsifikuesit dhe kriminelët, u shndërrua në një falsifikues parash. I arrestuari, më 4 gusht, në Prishtinë, është nga Resnja e Maqedonisë së Veriut. Ai punonte në departamentin e Policisë maqedonase për luftimin e krimeve të rënda dhe krimit të organizuar.
“Hetimi do të synojë të zbardhë shkallën e plotë të falsifikimit të monedhave”, tha Eurojust.
I arrestuari ishte pjesë e një rrjeti të falsifikatorëve, por jo “truri” i operacionit”.
Arrestimi i tij u bë pas muajsh të planifikimeve nga autoritetet maqedonase dhe kosovare, me mbështetjen e Eurojust dhe Agjencisë Evropiane të Policisë (EUROPOL).
Kolegët e policit të arrestuar nga Departamenti për luftën kundër krimeve të rënda dhe krimit të organizuar po ashtu morën pjesë në hetimin që u krye kundër tij, sipas Zyrës së Prokurorisë Themelore Publike. Në këtë hetim disamujor morën pjesë zyrtarë të inteligjencës, hetues dhe prokurorë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Paratë e falsifikuara u prodhuan me dy makineri në një bodrum në Shkup.
Policia sekuestroi edhe dy thasë me monedha. Falsifikuesit përdorën gjashtë versione të ndryshme që gjenden në anën e monedhës metalike ku është vendosur vlera prej 2 eurosh.
Në njoftimin e përbashkët të prokurorëve maqedonas dhe kosovarë u tha se qindra mijëra monedha false “të prodhuara” në Maqedoninë e Veriut kishin “vërshuar” tregun e Kosovës që nga viti i kaluar. Por, në njoftimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës lihet të kuptohet se problemi me paratë e falsifikuara është edhe më i madh.
Kjo për faktin se në një vit e gjysmë, BQK-ja ka tërhequr nga qarkullimi 2.5 milionë monedha prej 2 eurosh, që arrijnë vlerën totale prej 5 milionë eurosh.
Ky institucion tha se rreth 54.000 denominimeve prej 2 euro janë detektuar dhe janë parandaluar që të futen në sistemin financiar, “duke i tërhequr nga qarkullimi si para të falsifikuara”.
Por, paratë e falsifikuara në bodrumin në Shkup nuk përfunduan vetëm në Kosovë. Ato qarkulluan edhe në vetë shtetin ku u prodhuan, në Maqedoninë e Veriut. Paratë e falsifikuara hynë në qarkullim në territorin maqedonas përmes taksave që paguhen për të kaluar nëpër autostrada, pasi vetëm aty lejohet përdorimi i valutave të huaja.
Banka përgjegjëse për mbledhjen e këtyre të ardhurave i dërgoi, më pas, monedhat e dyshimta në Bankën Kombëtare maqedonase për verifikim.
Banka Kombëtare e Maqedonisë së Veriut i tha Radios Evropa e Lirë se në tre vjetët e fundit, ata kanë zbuluar më shumë se 50.000 euro monedha false.
Kjo bankë kryen inspektime dhe analizime të ndryshme për të përcaktuar nëse monedhat janë origjinale apo false.
Vetëm vitin e kaluar, një total prej 11.489 euro metalike janë zbuluar, nga të cilat 11.112 ishin monedha prej 2 euro dhe 367 në vlerë prej 1 euro. Më 2022, 10.717 monedha prej 2 euro dhe 231 prej 1 euro po ashtu u zbuluan se ishin të falsifikuara, tha Banka Kombëtare për REL-in.
Arrestimi i punonjësit të MPB-së maqedonase nuk ishte rasti i parë që një shtetas maqedonas është arrestuar në Kosovë nën dyshimet se ka futur në qarkullim monedha të falsifikuara. Dhjetorin e vitit të kaluar, Zyra e Prokurorit Special të Kosovës njoftoi për arrestimin e tre shtetasve maqedonas dhe tre kosovarëve, pasi iu gjetën 2-eurosha të falsifikuara në vlerë prej 85.000 eurosh.
Ata ishin arrestuar më 28 nëntor, ndërsa më pas Prokuroria kosovare bëri të ditur se gjatë operacionit u gjetën gjithsej 42.505 monedha prej 2 eurove.
Atëbotë, Prokuroria deklaroi se ata kishin futur në disa çanta paratë e falsifikuara, duke i kamufluar në atë formë që të dukeshin si mallra të zakonshme dhe më 28 nëntor i kishin dërguar në Kosovë.
Prokuroria Speciale tha se tre maqedonasit e dyshuar ishin takuar me tre të dyshuarit kosovarë në një fshat afër Ferizajt për të vazhduar më pas së bashku drejt Prishtinës.
Kosova nuk është pjesë e Eurozonës, por përdor euron.
Në korrikun e vitit të kaluar, në Kosovë u regjistruan të paktën dy raste të tjera kur u konfiskuan mijëra euro të falsifikuara, që kishin hyrë në shtet nga Maqedonia e Veriut dhe Turqia.