Ilir Beqaj, i cili kohët e fundit ka qenë në qendër të disa hetimeve për korrupsion, përfshirë arrestimin për abuzime me fondet e BE-së gjatë kohës që drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), vazhdon të marrë tendera të mëdhenj publik pavarësisht këtyre akuzave dhe pavarësisht se është në burg.
Arrestimi i tij është bërë publik nga SPAK në korrik 2024, në lidhje me abuzimet që kanë ndodhur gjatë kohës që ai ishte në krye të SASPAC. Gjithashtu, ai është nën hetim për një koncesion sterilizimi që ka sjellë arrestimin e disa personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë.
Megjithatë asgjë prej këtyre nuk e ka penguar atë që të gllabërojë edhe 16 milionë euro të tjera nga shteti. Ai ka fituar një tjetër tender me vlerë shumë të madhe nga Mirlinda Karçanaj e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Kjo kontratë përfshin implementimin e e-Albania 2.0, një faqe sekondare dhe të dhëna të hapura (open data), dhe kap vlerën e 1,377,777,779 lekë të reja pa TVSH ose afërsisht mbi 16 milionë euro përfshirë TVSH.
Kompania FASTECH është shpallur fituese e këtij tenderi, i cili u realizua përmes një procedure të hapur mbi kufirin e lartë monetar, me një fond limit prej 1,462,500,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 17 milionë euro përfshirë TVSH. Numri i referencës për këtë tender është REF-09288-06-12-2024. FASTECH është një kompani e cila pavarësisht se “me letra” ka pronar një individ të quajtur Andis Papa, sipas publikimeve në media në të vërtetë ka lidhje me Ilir Beqajn.
Bashkë me FASTECH, fitues janë edhe kompanitë IMAGE & COMMUNICATIONS DEVELOPMENT SHPK e Igli Gjelishtit & SOFT & SOLUTION SHPK e Ermal Beqirit & HELIUS SYSTEMS SHPK e Alkid Ademit dhe Gjergji Mulla, të cilat kanë garuar së bashku në grup me FASTECH si bashkim operatorësh.
Ndërkohë në tender ka marrë pjesë edhe INFOSOFT SYSTEMS SHPK si garues më vete, që për habi nuk ka dhënë asnjë ofertë. Kuptohet që pazari ka qenë i ndarë që në fillim që 16 milionë eurot do t’i merrte Ilir Beqaj me shokë.
Ndërkaq duket se teatri vazhdon përsëri, pasi nga njëra anë Beqaj duket sikur po jep llogari para drejtësisë por nga ana tjetër fut 16 milionë euro shtesë në xhep.