Shqipëria është një ndër vendet me nivele të larta të emigracionit të trurit, por të dhënat e fundit tregojnë se shumë ekspertë dhe persona të arsimuar që kanë emigruar, nuk punojnë në fushat e tyre përkatëse.
Sipas të dhënava nga Banka Botërore, vetëm 28% e emigrantëve shqiptarë punojnë në profesionet për të cilat janë arsimuar, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet e fundit në nivel global.
BB thotë se kjo situatë redukton mundësitë që ata të kontribuojnë me njohuritë dhe përvojën e tyre për zhvillimin e Shqipërisë dhe disbalancën midis arsimit dhe mundësive të punës për emigrantët shqiptarë.
Ekspertët e punësimit thonë se numri i madh i diplomave të marra në Shqipëri nuk ju siguron shqiptarëve dijet e nevojshme për t’u përshtatur në tregun ndërkombëtar.
“Që do të thotë nga 100 shqiptarë të arsimuar që largohen nga Shqipëria, vetëm 28 prej tyre punojnë në profesion. Në radhë të parë, ky arsimimi që ne e quajmë këtu, kur shkon dhe ballafaqohet me njohuritë dhe aftësitë që duhen në vende që janë më të zhvilluara se ne, si duket ne nuk kemi të njëjtën gjatësi vale me ta dhe kjo e bën që të arsimuarit tanë të mos konsiderohen si të tillë. Pra, të shihet me kujdes pjesa e trurit tonë është vërtetë truri apo pseudotru?”.
Për kompromisin që shqiptarët bëjnë kur largohen nga Shqipëria dhe lënë pas punë të profileve me pozicione të larta, ekspertët thonë:
‘Pse pranojmë që të shkojmë të bëjmë punë të çfarëdolloj natyre, sado që atje jemi nën statusin social që jemi këtu? Prapë jemi të gatshëm të pranojmë rënien e statusit sepse këtu jemi keq. Nuk është mirë në paga, por edhe në kushte, në stres, në ngarkesën që marrim çdo ditë”.
Ndërkohë që përveç mospërputhjes së arsimimit me aftësitë, një tjetër faktor ndikues, është edhe mentaliteti i nënshtrimit dhe mos vetëvlerësimit.
“Kur shkojmë jashtë në pjesën më të madhe në perëndim takojmë në pjesën më të madhe kamarierë, në shërbim shqiptarë që kanë vite që punojnë atje. Nuk kemi ambicien e duhur. Pse? Sepse edhe vetëbesimi është vrarë nga dy faktorë kryesorë, i pari ekonomik që kemi mangësi financiare dhe e dyta ne jemi ndjerë gjithmonë të dorës së dytë në Europën e zhvilluar. Mendojmë se të huajt janë më të zotë se ne, dhe kjo natyrshëm na ndrydh”.