170,000 apartamente janë bosh! Blihen për të pastruar paratë

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 08.08.2024, 10:03

Sektori i ndërtimit në Shqipëri po përjeton një fazë të fuqishme zhvillimi të ndërtesave shumëkatëshe dhe kullave në zonat urbane, por të dhënat nga Censusi i vitit 2023 zbuluan se rreth 40% e apartamenteve në ndërtesa shumëkatëshe në të gjithë vendin janë të pabanuara.

Sipas të dhënave të Censusit, në të gjithë vendin numërohen 431 mijë apartamente në ndërtesa shumëkatëshe, nga të cilat 170,264 janë bosh dhe mbi 261 mijë janë të banuara.

Apartamentet bosh përfaqësojnë një pasuri prej miliarda eurosh që është e ngrirë në formën e një investimi që nuk gjeneron të ardhura dhe punësim.

Burimet nga tregu pohojnë se një pjesë e madhe e apartamenteve bosh janë në qytetet e mëdha të vendit, veçanërisht në Tiranë dhe Durrës. Sipas tyre, ky stok apartamentesh të pabanuara është krijuar nga emigrimi i familjeve, të cilët nuk kanë planifikuar dhënien me qira të apartamenteve.

Një pjesë e madhe e këtij stoku u takon investimeve të bëra nga individë brenda dhe jashtë vendit. Shpesh, apartamentet e blera për investim dhe të padëna me qira janë pjesë e një zinxhiri për pastrimin e parave të përfituara në mënyrë të paligjshme.

Ndërkohë që sektori i ndërtimit ka një mbiofertë për apartamente, Këshilli i Rregullimit të Territorit ka lëshuar leje për ndërtimin e kullave deri në 100 kate muajin e fundit.

Në kontrast, ndërkohë që oferta për apartamente rritet, popullsia e vendit po tkurret me shpejtësi për shkak të emigracionit të lartë dhe uljes së lindshmërisë. Sipas të dhënave të Censusit të vitit 2011, popullsia e vendit u tkurr me 14.8% ose mbi 400 mijë persona.

Për më tepër, struktura e popullsisë është në plakje të shpejtë. Midis viteve 2011 dhe 2023, mosha mesatare e popullsisë së vendit u rrit me 7.5 vjet. Një popullsi më e vjetër në moshë nuk ka interes për të investuar në pasuri të paluajtshme.

Censusi i vitit 2023 numëroi 1,082,529 banesa të zakonshme në të gjithë vendin. Shtëpitë individuale përbënin 47% të këtyre banesave, ndërsa 39.9% ishin apartamente në ndërtesa shumëkatëshe.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit