Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për grupin kriminal që dyshohet se trafikonte lëndë narkotike drejt Europës.
Ky grup kriminal ku ishte edhe djali i ish-drejtorit të Policisë së Tiranës Erzen Breçanit, Eralbi Breçani, ka trafikuar mbi 500 kg kokainë nga Amerika e Jugut në Europë.
Sipas SPAK sekuestrimi i 446 kg kokainë në Holandë në dhjetor të 2021, i atribuohet të pandehurve Ismail Zeneli, Besmir Murtati dhe Eralbi Breçani.
Në bashkëpunim me Ergys Dashi, i cili u ekzekutua në Ekuador në 2022, dhe persona të tjerë për të cilët vazhdojnë hetimet, kanë bashkëpunuar me njeri-tjetrin për trafikimin e kësaj sasie kokaine nga Amerika e Jugut për në Holandë por më datë 05.01.2021 kjo sasi u sekuestrua dhe u arrestua një shtetas holandez.
Një rast tjetër është sekuestrimi i sasisë prej 69 kg kokainë në Brazil në datën 18.02.2021;
Sekuestrimi i kësaj ngarkese me lëndë narkotike të llojit kokainë i është atribuar të Ismail Zeneli (në rolin e porositësit dhe financuesit), Artan Sulejmani (financues), Eralbi Breçani (porositës dhe financues), Besmir Murtati (porositës dhe financues) dhe shtetasi Ergys Dashi i cili siguronte furnizimin me kokainë në vendet e origjinës si dhe më tej edhe ngarkimin e saj në port me destinacion portet e Evropës.
Sekuestrimi i 166 kg marijuanë në Erwitte, e nisur nga Spanja për në Gjermani;
Lidhur me këtë fakt penal duhet theksuar se Albert Prenga, ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike. Në aktivitetin kriminal të trafikimit të narkotikëve, i pandehuri Albert Prenga ka bashkëpunuar me shtetas të tjerë shqiptarë të paidentifikuar, si dhe me të Dedan Gjoni, i cili del në pah si bashkëpunëtor dhe porositës dhe financues në sasinë e lëndës narkotike të sekuestruar, kurse i pandehuri Bajram Grabova ka pasur rolin e transportuesit të lëndës narkotike.