Tirana renditet e 74-ta ndër kryeqytetet e Europës për cilësinë e jetës sipas indeksit të Numbeo, duke lënë pas vetëm Novosibirskin në listën me 75 qytete. Kryeqyteti shqiptar ka marrë një vlerësim total prej 98.5 pikësh (ku sa më i ulët vlerësimi, aq më e keqe është cilësia e jetës), duke u futur në kategorinë e qyteteve me cilësi të ulët jete. Ndikuesi më negativ për Tiranën është ndotja e lartë, e dyta pas Novosibirskit, shkruan revista Monitor në një artikull.
Çmimet e larta të pronave në raport me të ardhurat janë një tjetër faktor që e ul Tiranën në renditje. Tirana renditet e 13-ta më e shtrenjta nga 72 qytete për çmimet e apartamenteve në raport me të ardhurat. Çmimet e apartamenteve janë më të larta se në qytete si Munih, Romë, Athinë, Londër, Vjenë dhe Berlin. Milano mban vendin e parë për këtë raport, ndjekur nga Lisbona dhe Beogradi. Ky raport është një masë themelore për përballueshmërinë e blerjes së apartamenteve dhe llogaritet si raporti i çmimeve mesatare të apartamenteve me të ardhurat mesatare të familjes.
Në Shqipëri, ky raport është 15.7 vite pune për të blerë një apartament, krahasuar me 20.3 vite për Milanon dhe 5.5 vite për Glasgown në Mbretërinë e Bashkuar. Në Romë dhe Londër, duhen 14.3 vite për të blerë një apartament.
Shërbimi shëndetësor është një tjetër faktor negativ për Tiranën, duke e renditur atë të fundit në Europë. Ky indeks përfshin shpejtësinë e kryerjes së ekzaminimeve, pajisjet moderne për diagnostikim dhe trajtimin e sëmundjeve.
Tirana renditet gjithashtu ndër qytetet ku shpenzohet më shumë kohë në trafik, në vendin e 11. Qytetet me trafikun më të rënduar përfshijnë Moskën, Londrën, Parisin dhe Bukureshtin.
Sa i përket sigurisë, Tirana është në vendin e 47, ndërsa qytetet më të pasigurta në Europë janë Parisi dhe Athina. Më të sigurtat janë Haga dhe Munihu.
Në koston e jetesës, Tirana renditet më mirë, duke qenë ndër qytetet më të lira në Europë, pas Odesës në Ukrainë.
Indeksi i Cilësisë së Jetës nga Numbeo përfshin variabla si fuqia blerëse, ndotja, përballueshmëria e banesave, kostoja e jetesës, siguria, cilësia e kujdesit shëndetësor, koha e udhëtimit dhe kushtet klimatike. Lista bazohet edhe në përgjigjet e sondazhit të banorëve të secilit vend.
Që nga rishikimi i mesit të vitit 2024, Haga në Holandë është në krye të listës për cilësinë e jetës. Novi Sad dhe Beogradi në Serbi renditen përkatësisht në vendin e 57 dhe 67, ndërsa Shkupi është në vendin e 69.
Haga ka një rezultat të përgjithshëm prej 223.8, me notat më të larta në klimë, kujdes shëndetësor dhe siguri. Qyteti ka një qendër historike të mrekullueshme, hapësira të gjelbra dhe plazhe me rërë, dhe është afër aeroporteve të mëdha dhe opsioneve të shumta të transportit publik.
Ndër destinacionet europiane, Luksemburgu është në vendin e dytë, i ndjekur nga Eindhoven, Roterdami, Zyrihu, Kopenhageni, Vjena, Helsinki, Gjeneva dhe Frankfurti. Jashtë Europës, Perth në Australi renditet i 14-ti, ndërsa Austin në SHBA është në vendin e 15-të. Seattle dhe Tampa gjithashtu shënojnë rezultate të larta, duke u renditur në vendet e 20-ta dhe 21-ta përkatësisht.