Një nga bosët më të fuqishëm të drogës në botë, Ismael "El Mayo" Zambada, lider i kartelit Sinaloa të Meksikës, është arrestuar nga agjentët federalë amerikanë në El Paso, Teksas.
Zambada, 76 vjeç, themeloi organizatën kriminale me Joaquin "El Chapo" Guzman, i cili aktualisht është i burgosur në SHBA. Ndërkohë që i arrestuar bashkë me Zambada ishte djali i “El Chapo”, Joaquin Guzman Lopez.
Në shkurt, Zambada u akuzua nga prokurorët amerikanë për një komplot për të prodhuar dhe shpërndarë fentanyl, një drogë më e fuqishme se heroina.
Detajet e arrestimit të dy burrave mbeten të paqarta, por Zambada dyshohet se u mashtrua për të hipur në aeroplan nga një anëtar i rangut të lartë të Sinaloa pas një operacioni njëmujor nga Hetimet e Sigurisë Kombëtare dhe FBI.
Zambada besonte se do të inspektonte aeroportet klandestine në jug të Meksikës, por në vend të kësaj ai fluturoi në veri dhe u ul në El Paso.
Prokurori i Përgjithshëm i SHBA Merrick Garland tha se të dy burrat udhëheqin "një nga organizatat më të dhunshme dhe më të fuqishme të trafikut të drogës në botë" dhe se karteli Sinaloa është furnizuesi më i madh i drogës në SHBA.