Rritja e çmimeve me 10-15% në baret dhe restorantet e jugut të Shqipërisë ka ndikuar negativisht në nivelin e konsumit gjatë sezonit turistik të këtij viti.
Operatorët e bareve dhe restoranteve raportojnë një ulje të ndjeshme të konsumit krahasuar me vitet e kaluara. Kjo rënie është veçanërisht e dukshme në zonat turistike ku konkurrenca është e madhe dhe ku turistët kanë mundësi të zgjedhin mes shumë opsioneve.
Pronarët e bareve dhe restoranteve thonë se rritja e çmimeve ishte e nevojshme për të përballuar koston e lartë të produkteve dhe shërbimeve, por kjo ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e numrit të klientëve.
Sipas ekspertëve, një nga arsyet kryesore të rritjes së çmimeve mbetet shtimi i kostove për pagat e personelit duke përfshirë për kamerier, ndihmëskamerier apo shef kuzhine. Për shkak të premisave të krijuara se turizmi këtë vit do rritej edhe më tepër se vitin e kaluar, shumë prej bizneseve të shërbimit kanë dyfishuar numrin e punonjësve.
Por rritja e çmimeve për të përballuar rrogat e punonjësve ka ndikuar te rënia e konsumit në bare dhe restorante të zonave bregdetare të jugut.
Turistët kanë shprehur zhgënjim për rritjen e çmimeve, duke theksuar se kjo i ka detyruar të rishikojnë shpenzimet e tyre gjatë pushimeve, të zgjedhin alternativa më ekonomike ose reduktojnë frekuentimin e këtyre lokaleve.
“Ne vendosëm të zvogëlojmë daljet në restorante dhe të gatuajmë më shumë në apartamentin që kemi marrë me qira”.
Ndërsa operatorët e bareve dhe restoranteve përpiqen të balancojnë mes kostove të rritura dhe nevojës për të mbajtur klientët, disa po konsiderojnë oferta dhe zbritje speciale për të tërhequr më shumë vizitorë. Shumë prej tyre po kërkojnë mënyra për të reduktuar kostot pa kompromentuar cilësinë e shërbimeve të tyre.