Nëse ende nuk e dinit Kompania telefonike ONE Albania ka partneritet me rusët përsa i përket shërbimit të kujdesit ndaj klientit. Por kompania me të cilën bashkëpunon jo vetëm ka bazën në Rusi, por është ekstremiste dhe flet me një gjuhë urrejtjeje ndaj platformave më të mëdha sociale në botë pjesë e Meta, që i hoqën aksesit pas luftës.
Platforma e kujdesit ndaj klientit e quajtur "Chat2Desk" ka adresë në Rusi. Në përshkrimin e tyre për Meta Platforms Inc, thuhet se janë një organizatë ekstremiste dhe aktivitetet e saj janë të ndaluara në Federatën Ruse.
Kjo platformë shkruan se Facebook dhe Instagram janë të ndaluara në territorin e Federatës Ruse.
* Meta Platforms Inc. njihet si një organizatë ekstremiste dhe aktivitetet e saj janë të ndaluara në Federatën Ruse. WhatsApp, Facebook, dhe Instagram janë produkte të saj. Përdorimi i Facebook dhe Instagram është i ndaluar në territorin e Federatës Ruse.*
Por së fundmi, Departamenti i Thesarit të Shtetit në SHBA ka bërë thirrje që çdo shtetas ose kompani amerikane të ndalojë bashkëpunimet me kompanitë e lidhura me Rusinë, dhe i ka bërë thirrje për veprim të menjëhershëm institucioneve shqiptare për të rishikuar marrëveshjet me kompanitë e telekomunikacionit që përdorin platforma ruse.
Ky ndalim, i bazuar në Seksionin 1(a)(ii) të Urdhrit Ekzekutiv 14071, është një masë e rëndësishme për mbrojtjen e sigurisë kombëtare të SHBA dhe aleatëve të saj.
Në këtë kontekst, Shqipëria duhet të veprojë menjëherë për të mbrojtur interesat e saj kombëtare dhe të shqyrtojë me kujdes marrëveshjet me kompanitë e telekomit që përdorin teknologji ruse pasi kjo situatë paraqet një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të vendit tonë.
Pas denoncimit të JOQ nuk u ndërmor asnjë masë nga institucionet përkatëse, AKEP, SHISH apo institucionet e tjera përgjegjëse për këtë skandal e asnjë veprim për të mbrojtur sigurinë dhe integritetin e infrastrukturës telekomunikuese të Shqipërisë, deri në momentin që SHBA ka vendosur ultimatum.
Duket se shteti shqiptar nuk e ka prioritet kombëtar mbrojtjen e të dhënave dhe komunikimeve të qytetarëve shqiptarë duke qenë se vjedhja e publikimi i të dhënave nga hakerat është bërë diçka normale e në kontekstin e institucioneve shtetërore… çfarë dëmi mund të sjellë hamendësisht posedimi i të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë nga rusë?!
Detyra e institucioneve shqiptare duhet të ishte rishikimi dhe ndalimi i marrëveshjeve me kompanitë që përdorin teknologji të sanksionuara, duke siguruar kështu që shërbimet telekomunikative të vendit të jenë të mbrojtura dhe të sigurta.