Që nga data 19 korrik, gati 800 të dënuar në burgjet greke, mes tyre edhe shumë shqiptarë, kanë hyrë në grevë urie.
Një prej tyre është edhe Fabio Dushku, i cili vuan dënimin në burgun e Domokos, i cili tha se nuk po u miratohen lejet vjetore sipas ligjit. Përveç kësaj, po u zgjatet edhe dënimi.
“Jemi shumë kombësi. Kur erdhi partia e djathtë në pushtet na lajmëruan që do ndryshojë kodi penal. U ngritën avokatët dhe të burgosurit në burg. Pastaj na thanë që nuk na përfshinte ne dhe ne hoqëm dorë nga greva sepse çdo kush vepron për vete. Ne kërkuam të merrnin lejen 5-ditore siç është rregulli këtu, që na takon me ligj. Por na thanë që nuk na i miratojnë. Thanë ka ndryshuar kodi penal dhe nuk ju takon. Problemin e kanë me një organizatë terroriste dhe na futën dhe ne për ta fshehur.”
Ai u shpreh se burgjet greke i vendosin rregullat bazuar në interesat e drejtorëve dhe se po shkelen të drejtat e të githëve.
“Këtu burgjet janë si shtetet e SHBA-së. Çdo burg ka rregullat e veta, i bëjnë siç duan. Ne nisëm grevë sërish në datën 19 korrik. Do të vazhdojmë grevën. O do të vdesim të gjithë në burg, o do të lirohemi siç e thotë ligji. Kërkojmë drejtësi.”
Gjithashtu, ai kritikon institucionet shqiptare nga të cilat ndihen të braktisur.
“Edi Rama të mos vijë këtu vetëm për politikë. Për shfaqje. Por ta bëjnë si ambasada turke, që sapo e kërkuan, erdhi në burg. Kërkojmë drejtësi dhe që ambasada shqiptare të reagojë.”