“Kalim 100% i sigurt! Sillni edhe shokun dhe fitoni 500 euro”, Britania e Madhe godet bandat shqiptare në rrjetet sociale

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 24.07.2024, 11:34

Kontrabandistët që ofrojnë 100% garanci për të dërguar emigrantët shqiptarë drejt Britanisë së Madhe bashkë me ofertën se kush sjell një shok fiton 500 euro janë në mesin e 12 mijë reklamave që janë fshirë nga rrjetet sociale.

Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) po përpiqet të godasë bandat e organizuara që përdorin platformat online si “X”, “TikTok”, “YouTube”, “Facebook”, “Instagram” dhe “Whatsapp” për të rekrutuar emigrantë e për t’i dërguar drejt Britanisë së Madhe kundrejt pagesës.

Mesazhet e trafikantëve shqiptarë ishin nga më të ndryshmet: “Çojmë njerëz në Britaninë e Madhe me skaf. Punë e mbaruar brenda 45 minutave”; “Kalim 100% i sigurt. Mos e humbisni këtë mundësi. Nisemi shpejt! Shkruani në privat; “Udhëtime 100% të garantuara me ne. Sillni edhe shokun dhe fitoni 500 €”.

Kjo lëvizje vjen pasi Sekretarja e Brendshme, Yvette Cooper, paralajmëroi se edhe gjatë verës do të ketë nivele të larta të kalimeve me gomone nëpër Kanalin Anglez, pasi shifrat e “Home Office” treguan se gati 1,500 emigrantë kaluan brenda një jave.

Ajo ka përcaktuar planet e qeverisë së re laburiste për të luftuar bandat e kontrabandës së njerëzve duke krijuar një Njësi Komandimi Kufitare dhe duke punuar më ngushtë me vendet evropiane.

Ka të ngjarë që Britania e Madhe të rishikojë sistemin e azilit si dhe heqjen e skemës që u bllokua nga qeveria e mëparshme për dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit