Një festë e disa të rinjve për pak sa nuk u kthye në tragjedi mesnatën e kaluar në Tiranë.
Ata kanë qenë duke festuar me familjen dhe shoqërinë në një lokal në Rrugën e Kavajës, kur njëri prej tyre ka bërë shkrepje të pavullnetshme me armë.
Si pasojë, shtetasit E. P., 36 vjeçe, A. P., 36 vjeç, dhe D. P., 34 vjeç kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore.
Pas marrjes së ndihmës mjekësore dy prej tyre janë larguar në shtëpi, ndërsa 36-vjeçarja me iniciale E.P vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.
Nga ana tjetër, 32-vjeçari që qëlloi me armën që mbante pa leje është shpallur në kërkim.
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 23.07.2024, rreth orës 01:35, janë paraqitur në një spital privat, për ndihmë mjekësore, shtetasit E. P., 36 vjeçe, A. P., 36 vjeç, dhe D. P., 34 vjeç, me dëmtime të shkaktuara dyshohet nga armë zjarri.
Këta shtetas, rreth orës 01:30 të mëngjesit të sotëm, kanë qenë duke festuar së bashku me persona të tjerë nga rrethi i tyre shoqëror dhe familjar, në një lokal në Rrugën e Kavajës.
Nga tërësia e veprimeve hetimore paraprake është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit E. E., 32 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas dyshohet se aksidentalisht, me një armë zjarri të cilën e mbante pa leje, ka bërë një shkrepje të pavullnetshme, dhe si pasojë e saj janë dëmtuar shtetasit e mësipërm.
Shtetasit D. P., dhe A. P., pas marrjes së ndihmës mjekësore janë larguar për në banesë, ndërsa shtetasja E. P., ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti dhe kapjen e shtetasit E. E.