Një ngjarje e çuditshme rezulton të ketë ndodhur në fshatin Kolsh të Lezhës. Dy meshkuj 19-vjeçare kanë marrë peng një mashkull tjetër 17-vjeçar dhe e kanë ngacmuar seksualisht. Jo vetëm kaq por mësohet se dy 19-vjeçarët i kanë publikuar më pas 17-vjeçarit edhe video në Tik-Tok.
Nga policia mësohet se ka qenë vetë 17-vjeçari ai që ka bërë kallëzim pranë komisariatit të Lezhës. Sipas denoncimit, mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:30 ai është marrë pa dëshirën e tij në një automjet nga dy 19-vjeçarët dhe është dërguar në fshatin Kolsh.
Mësohet se pasi kanë mbërritur dhe kanë ndaluar mjetin, 17-vjeçari është shantazhuar nga dy 19-vjeçarët të cilët e kanë nxjerrë “live” në Tik-Tok dhe e kanë detyruar të përdorë fjalë fyese. Gjatë këtyre veprimeve ndaj 17-vjeçarit është ushtruar edhe dhunë fizike si dhe është ngacmuar seksualisht.
Pas këtij kallëzimi, policia ka arrestuar dy 19-vjeçarët A.Gj. dhe A.Ll, të dy banues në Kolsh të Lezhës. Ata akuzohen për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Kanosja” dhe “Ngacmimi seksual”.