Pensionistët u zënë vendin të rinjve, 16% e personave mbi 65 vjeç punojnë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 22.07.2024, 16:12

Punësimi i pensionistëve është rritur ndjeshëm vitet e fundit në Shqipëri, si një përgjigje ndaj nevojës për të mbuluar hendekun e krijuar në tregun e punës nga të rinjtë.

Shkalla e papunësisë për grupmoshën 15-24 vjeç në vitin 2023 ishte shumë e lartë, në 25.6%. Të rinjtë e grupmoshës 15-29 vjeç, të cilët nuk janë të punësuar, nuk ndjekin shkollën apo nuk kanë një formim profesional, përbëjnë 24.6% të të rinjve.

Sipas të dhënave nga Anketa e Forcave të Punës të INSTAT, në vitin 2023 mbi 16% e personave mbi 65 vjeç ishin të punësuar, ndërsa në vitin 2015 kjo shifër ishte vetëm 8.6%.

Pagesat e ulëta të pensioneve të pleqërisë po nxisin të moshuarit të punojnë për të plotësuar nevojat ekonomike. Në tremujorin e fundit të vitit 2023, gati 82 mijë persona mbi 64 vjeç ishin në punë, nga 54.5 mijë persona që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2022. Të moshuarit me shkollë të mesme kishin përqindjen më të lartë të rritjes së punësimit, të ndjekur nga ata me arsim 8-vjeçar dhe në fund ata me arsim të lartë. Pensionistët me arsim të lartë patën rritjen më të madhe vjetore në punësim me 6.2 pikë për qind brenda vitit.

Sipas ekspertëve, të moshuarit mbulojnë nevoja të bizneseve në profesione që nuk preferohen nga të rinjtë, si roje objektesh dhe profesione që nuk kërkojnë shumë aftësi dhe energji. Por jo vetëm kaq pasi edhe sektori i shëndetësisë dhe arsimit po përballet me mungesa të punonjësve, duke detyruar shumë punonjës të punojnë edhe pas pensionit. Në disa rajone të vendit, si në Jug dhe Veri, shkollat kanë mungesa të mësuesve të profileve në lëndët kryesore, ndërsa në spitale punojnë mjekë në pension që më parë kishin punuar në Tiranë.

Edhe pse rritja e punësimit të pensionistëve ofron një zgjidhje të përkohshme për mungesën e fuqisë punëtore, ajo gjithashtu nënvizon nevojën për politika të qëndrueshme që adresojnë papunësinë tek të rinjtë dhe ofrojnë mbështetje më të madhe për pensionistët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit